Lajme

Memli Krasniqi flet për “Dekadën e Re” teksa ‘krenohet’ me njeriun e dënuar me burgim

06/16/2019 20:31
nga:L H

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, po ndjehet krenar që iu dha rasti që sot ta hap konventëm e nëntë zgjedhor të partisë.

Ai po ashtu thotë se ndër veprimet më të mëdha të konventës ishte zgjedhja e Kadri Veselit, si kryetar i PDK-së.

Por, Krasniqi në fotografitë e postuara në rrjetin social Facebook, shihet edhe kryetari i PDK-së në Klinë, Sokol Bashota, i cili pak kohë më parë u dënua me gjashtë muaj burgim me kusht dhe me një mijë euro gjobë.

Bashota akuzohet se prej vitit 2012, deri 2015, nuk kishte deklaruar banesën 79 metra katror në Prishtinë, makinat “Jeep” dhe “BMW X5” në vlerë 65 mijë euro, si dhe qiranë për banesë në shumë prej 3000 mijë euro, në vit.

Edhe Krasniqi, sikurse shefi i tij, Kadri Veseli dhe shumë zyrtarë tjerë të PDK-së, kanë folur edhe sot për të ashtuquajturën “Dekada e Re”, dhe se si kjo parti do u hap rrugë njerëzve të rinj.

Por edhe në Konventën e sotme, prezentë në ‘krye të vendit’ ishin shumë personalitete të vjetra të partisë.

Elmi Reçica, Xhavit Haliti, Sokol Bashota, Basri Musmurati, Rexhep Hoti, Sami Lushtaku, Hajdar Beqa, Adem Grabovci, Azem Syla dhe Ferat Shala, ishin vetëm disa nga figurat e vjetra të PDK-së.

Përtej kësaj, disa nga ta janë zgjedhur edhe kryetarë të degëve. Xhavit Haliti në Pejë, Sami Lushtaku në Skenderaj dhe Hajdar Beqa në Gjakovë, janë disa nga ‘gardianët’ e vjetër të PDK-së, që në “Dekadën e Re” morën pozita të larta brenda PDK-së.

Expose, prodhim i Gazeta Blic, javë më parë, realizoi dokumentarin për zgjedhjet brenda PDK-së.

“Dekada e Vjetër”, titullohet dokumentari, që hyn brenda zgjedhjeve të fundit të PDK-së