Opinion

Mediat si nënsqetull e diplomacisë apo vazhdim i saj me mjete tjera

01/03/2018 17:02
nga:Dr. Martin Berishaj

Libri “Diplomacia bashkëkohore dhe mediat” i autorit Burim Etemaj, shtron shtratin për një evidencë serioze të debatit në hapësirën politike dhe mediale shqiptare, pa kompleks, por me qasje mjaft interesante, shpalos shtresimin cilësor të lëndës, e që në fillim e fut lexuesin në fushë, që shpeshherë të tjerët, por jo edhe vetë autori, e kuptojnë rrëshqitazi duke bërë gabime dhe belbëzime fillestare.

Autori e thellon diskursin medial duke e bërë të kapshme diplomacinë nëpërmes tij. Rrjedhimisht, funksionalizimi i këtij diskursi shtjellohet me përpikëri duke e futur atë në dimensionin krahasues të llojeve të ndryshme të diplomacisë, e që studimit si të tillë i jep vlerë të shtuar.

Për ta thjeshtëzuar deri në kuptueshmëri lëndën që në mënyrë eksplicite autori e shtjellon me lehtësi të madhe, pa e humbur asnjëherë qëllimin, rrëshqet gradualisht në thelb të asaj që do ta quajë përpjekje për ta vendosur barasdistancën e partneritetit mes medieve dhe diplomacisë, e njëkohësisht, duke e subjektivizuar medien dhe vendosur atë si “palë” të rëndësishme në pranimin bashkëkohor të diplomacisë, që kohën e fundit po merr dimensione tjera, përtej pranimit klasik të saj se si diplomacia bëhet dhe çka ajo është!

Autori Etemaj, natyrshëm e vendos median si forcë shtytëse të vazhdimit të diplomacisë me mjete tjera, duke ia dhënë asaj dimensionin korrektues edhe të vetë asaj. Shtegtimi lëndor i këtij studimi nëpër mediat më prestigjioze, qofshin ato të shkruara ose pamore, dhe ndikimi i tyre jo më në vetë diplomaci, por edhe në mënyrë të të jetuarit sot, e modelon atë, në të cilën autori thellësisht beson.

Pra, syprina mediale, në studimin në fjalë, fisnikërohet me argumente bindëse, kur autori bën prerjen tërthore të historisë politike bashkëkohore në Ballkan e në veçanti në ish-Jugosllavi, në fundshekullin e kaluar dhe në fillimshekullin e tanishëm, ku diplomacia, gati është e paimagjinueshme pa përcjellje të dorës së djathtë të saj – mediave.

Si rrjedhojë shtrohet pyetja se sa rëndësi kanë mediat dhe cila është pesha specifike e tyre në klasifikim të mëtejmë në mes asaj dhe diplomacisë? Padyshim, pas leximit të kujdesshëm të këtij studimi, del në pah, përgjigjja se në të ardhmen nuk do të mund të paramendohet njëra pa tjetrën.

Jo vetëm bindja e tij lidhur me media por, mënyra e të jetuarit me politikë dhe për politikë, veçanërisht në kohën e sotme, në studimin në fjalë, paraqitet si refleks i analizës konsistente që autori u bën këtyre dy proceseve mjaft të rëndësishme, e që, tjetërqysh në mënyrë jokonvencionale për rrethana në Kosovë, me një përkujdesje vehemente (pasiononte) sintetizon rrugëtimin shkencor duke mos dalë nga binarët e asaj se ku duhet të shkohet.

Autori, gjatë krejt studimit të tij e ruan distancën e nevojshme, nganjëherë edhe kritike, por asnjëherë subjektive, duke i kapërcyer shtigjet me lehtësi, e njëkohësisht duke vendosur në rrafsh të debatit diplomacinë si urti dhe mediat si bindje. Ai në rrugëtimin e tyre, e shquan diplomacinë si mjet që ua vë shpatullat demokratizimit të medieve për zhvillimet e tyre.
Me këtë studim Etemaj hap mundësi cilësore për një debat që është më se i nevojshëm në hapësirën politike dhe kulturore shqiptare.

(Parathënie e librit Diplomacia bashkëkohore dhe mediat, e autorit Burim Etemaj)