Opinion

Mediat e korruptuara të popullit “hyjnor”

10/21/2018 11:48
nga:Leonard Komani

Shkruan: Leonard Komani

Rrëfimin se mediat shqiptare gjitha qenkan të korruptuara, nuk e besojnë vetëm ata që mezi marrin rrogat nga pronarët e tyre. Tjerët janë të bindur se paskan të drejtë. Askush mirëpo nuk shtron debatin rreth origjinës së këtij problemi: pse është kështu? Edhe më pak i shkon ndërmend dikujt të pyes: si mund ta ndryshonim këtë gjendje.

Kotzias, tashmë ish ministri i jashtëm grek, e lëshoi një bombë: gazetat, mediat, kishat ortodokse shqiptare dhe shoqëritë e minoritetit grek u financuakan nga fonde sekrete të shtetit grek. Lajmi nuk shkaktoi hatanë. Bomba nuk shpërtheu si rëndom kur shpalohen skandale të llojit. E kush duhej t’ia heq fitilin bombës? Konkurrenca, e cila financon xhamitë, mediat, shoqatat nga fondet sekrete turke? Apo ata që funksionojnë me kapitalin e oligarkëve të kriminalizuar nga rusët dhe serbët apo vetë qeveritë e korruptuara e në sundim e sipër?

Bomba nuk lëndoi askënd, ngase Kotzias nuk tha asgjë sensacionale. Përsëriti diçka që shumica e njerëzve saherë ta klikojnë një portal, ta hapin një kanal televiziv apo ta shfletojnë një gazetë i pari imazh që ua mbulon sytë është ai i sponsorit të saj: herë është ndonjë fantom i zi, sinonim i së keqes anonime, shpesh fytyra e ndonjë oligarki e kryesisht fytyrat e despotëve të shteteve që financojnë ato nga «fondet e tyre sekrete».

Patjetër se nga kjo listë përjashtohen media të veçanta, të cilat nuk u ka qeshur «fati» të kyçen në këto rrjete të majme dhe kështu u duhet të mbijetojnë me zor, duke pritur sezone zgjedhjesh, dramash e katastrofash që të marrin sa më shumë klikime për t’i gjeneruar në honorarë nga Google, Facebook e tjera që paguajnë në sajë të intensitetit të frekuentimit mbi reklamat e tyre. Po ja edhe këto gjenden në krizë: ligjvënësit gjithandej ashpërsojnë kriteret e sigurisë, saqë nuk shkon gjatë dhe keqpërdorimi i «userëve të pavetëdijshëm» që lidhje s’kanë se ç’ndodh me të dhënat e tyre, do të bëhet gati i pamundshëm.

Gjendja në botën mediatike shqiptare është kjo. E keqe dhe tepër dëmshme për demokracitë dhe shoqëritë ku ato operojnë. Pak njerëz ka që thonë se i besojnë ndonjë medieje të caktuar. Kush është fajtor për këtë gjendje? Një pjesë e opinionit akuzon mediabërësit, të cilëve vetëm edhe ndonjë aeroplan privat iu mungon; për të shkuar paradite ta pinë një coca-colë në Tanzani e e pasdite të kthehen në studio për të belbëzuar mbi ndonjë temë kundër korrupsionit; kritika e kësaj perspektive në të njëjtën kategori i fut edhe ato gra e burra që kanë monopolizuar subvencionet e organizatave të huaja për tu pasuruar vetë e jo për ta zhvilluar medien; një pjesë tjetër e opinionit akuzon qeveritë, partitë dhe politikën e cila nuk ka lënë pa korruptuar asnjë media në favor të vetin dhe të gjithë këta akuzues përbashkohen në refrenin; nuk ka media të pavarura, objektive, tek shqiptarët. Të gjitha janë të korruptuara dhe fabrika «fake news»-esh në favor të oligarkut, agjencisë sekrete apo firmës nga e cila paguhen.

Këto imazhe, që përshkruajmë këtu, të fiksuara në opinion, mëtojnë të thonë mirëpo atë që ndodhë e jo shkakun se pse ndodhë ky devalvim total. Nga ana tjetër imazhet janë përgjithësuese dhe ngulfasin më shumë ato pak media që nuk veprojnë kështu se sa që luftojnë ato që qëllimisht veprojnë me krimin e organizuar për interes të pronarëve të tyre, prandaj duhet një analizë e diferencuar për ta njohur problemin si duhet, në mënyrë objektive. Po kush ta bëjë këtë? Nuk dimë. Atë që mund ta themi është se çka bëjnë shoqëritë tjera, ato që vërtet duan të shpëtojnë larmishmërinë mediatike si fuqi të domosdoshme të një demokracie, transparencës dhe informimit objektiv të masave.

Në Zvicër një oligark ksenofob bleu gati gjitha mediat private. Si pasojë e kësaj u krijuan dy blloqe: nga njëra anë TV-ja publike që financohej nga shteti dhe në anën tjetër grupi i ksenofobit. Dy alternativa: njëra oportuniste deri në dhimbje e tjetra radikale kundër të parës dhe gjithë botës. Kur gjitha analizat dhe studimet e thanë dhe faktizuan këtë, qeveria, respektivisht BAKOM, departamenti i saj për këto çështje, angazhoi një fondacion me emrin TASwiss (Fondacioni për pasoja teknologjike), i cili në bashkëpunim me Universitetet e Freiburg-ut, Lausanne-s und Zürich-it bëri studimin që paralajmëron ndryshimet esenciale: shteti duhet të gjejë mënyrat për subvencionimin ndryshe të mediave që ato mos bëhen pré e oligarkëve dhe agjencive të ndryshme, të cilat nuk kanë parim dhe objektiv informimin por manipulimin në konto të ideologjisë që përfaqësojnë, duke tjetërsuar qëllimisht faktet.

Menjëherë pas këtyre rezultateve dy mediologët Meister dhe Mandl bënë krahasimet me vendet si Suedia, kryesisht vendet skandinave, Franca dhe tjera, të cilat nuk financojnë vetëm mediat publike (dhe ato private vetëm me lehtësime tatimore dhe në distribuim), por edhe shumë më shumë për të mbrojtur sistemin medial nga fundosja kanaleve antidemokratike, të korruptuara e të llojit. Tash flitet për një mbështetje financiar për gjitha mediat që plotësojnë seriozisht kriteret perofesionale.

Shtetet dhe shoqëritë shqiptare duhet të mësojnë nga këto zhvillime nëse janë të interesuara vërtete për media të shëndosha. Ngase është lehtë, duke pushuar mbrëmjes, të shesësh moral nga ndonjë blog privat rreth kapjes së mediave nga politika, shteti, oligarkët dhe agjencitë e huaja. Tepër rëndë është mirëpo t’i sigurosh mjetet për t’ua dhënë me kohë pagat dhjetëra familjeve që varen nga media ku janë të angazhuar. Nuk akuzohen mediabërësit pra, për mungesë morali kur ua ke hequr çdo mundësi operimi ndryshe përveçse të korruptohen për ta siguruar ekzistencën. Nëse shteti është i demosit dhe ky donë media konstruktive, informuese e jo trushpëlarëse atëherë le t’i ndihmojë ato në vend se vetëm të ulërij dhe të zbavitet e kënaqet me rrenat e Kotzias, Mevludit apo Daçiçit dhe përfaqësuesve të tyre në mediat që për gjuhë kanë shqipen.