Uncategorized

Me pranim në Këshillin e Europës, Kosova rrezikon falimentimin

04/22/2019 09:23
nga:Gazeta Blic

Me pranimin në Këshillin e Europës, Kosova mund të detyrohet të paguajë qindra milionë euro kompensim qytetarëve që iu janë shkelur të drejtat e njeriut nga gjyqësori.

Kështu thotë për Radio Kosovën avokati i popullit Hilmi Jashari. E juristi Anton Nrecaj thotë se kompensimet mund të jenë aq të mëdha sa që Kosova mund të falimentoj si shtet.

Me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, qytetarëve iu hapet rruga të ankohen në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg. Nëse llogariten vetëm rastet aktuale në procedura gjyqësore, sipas Avokatit të Popullit Hilmi Jashari, kompensimi që shteti i Kosovës do të duhej t’iu paguante qytetarëve, mund të arrijë në qindra milionë euro.

“Supozoni që sot në Kosovë janë afro 400 mijë raste në procedura gjyqësore, shumica prej tyre janë në zvarritje të procedurave, supozoni një kompensim minimal 1000 euro për rast dhe pastaj llogaria është shumë e thjeshtë, edhe mund të merrni pastaj epilogun cfarë do të jetë në kompensim si dëm që shteti duhet të paguajë për qytetarin, janë shuma marramendëse, kuptohet pa e llogaritur asnjë rast tjetër, kryesisht rastet që janë aktualisht në procedura gjyqësore”, tha Jashari.

E ankesa të vazhdueshme nga qytetarët për gjykim jo të drejtë, të pa-anshëm dhe në kohë të arsyeshme po shprehen edhe sot e kësaj dite, qe 20 vite. Nëse të gjithë vendosin të kërkojnë të drejtën e tyre të mohuar nga gjyqtarët kosovarë në Gjykatën e Strasburgut, Kosova mund të falimentojë si shtet, thotë Anton Nrecaj nga Qendra për Ndihmë Juridike Clard.

“Shteti kishte me falimentu si shtet për shkak për shkak të obligimeve që kishin dalur nga vendimet e Gjykatës europiane, si pasojë e shkeljeve të drejtave dhe lirive të njeriut. Kishim ardhur në pozitë sa që kishim falimentuar si shtet. Sepse ka shkelje masovike të drejtave të njeriut. Shkeljet thelbësore, qasje në drejtësi, shkeljen thelbësore të nenit 6 të Konventës Europiane, e drejta për një gjykim të drejtë, të pa-anshëm dhe në një kohë të arsyeshme. Koha e arsyeshme nuk është 8 vite, sidomos kur kemi të bëjmë për fëmijë”, thotë Nrecaj.

Nrecaj thotë se nga Institucioni i Avokatit të popullit është konstatuar se për të pasur një Aktgjykim të formës së prerë në Kosovë nevojiten rreth 8 vite. Kjo kohë, sidomos është e tepërt në rastet e kontakteve me fëmijë sepse shkaktohet shkëputje emocionale, thotë Nrecaj, andaj prindi më të drejtë do të kërkojë kompensim për vuajtjet e shkaktuara.

“Dikush duhet të mbahet përgjegjës, është shteti, atëherë duhet tia kompensojë dëmin që ia ka shkaktuar shteti. Edhe pse është dëm i pariparueshëm, sepse 8 vite, shpëkutja emocionale, pasojat që mund ti ketë e ku ta di unë…”, thotë Nrecaj.

E Avokati i Popullit Hilmi Jashari thotë se Gjykata e Strasburgut nuk ka mëshirë.

“Nuk ka pardone dhe normal vendimi është për t’u kompensuar, edhe shtetet pastaj detyrohen të përmbushin. Nuk ka asnjë rast deri më sot që Komiteti i Ministrave e ka neglizhu, është mekanizmi më i suksesshëm, të gjitha aktgjykimet e Gjykatës Europiane janë zbatuar”, thotë ai.

Avokati i Popullit Jashari, si dhe juristi Nrecaj kanë marrë shembullin e Italisë, e cila në vitet e 90-ta ka qenë në prag të falimentimit për shkak të rasteve të humbura në Gjykatën e Strasburgut nga numri jashtëzakonisht i madh i zvarritjeve të procedurave gjyqësore. Italia ishte detyruar të bënte reformë të sistemit ligjor dhe atij gjyqësor në pajtueshmëri me kërkesat e Konventës.

05/24/2019 23:50

Haradinaj takon bizneset e diasporës