Opinion

Me kë ishte Qeveria?

01/14/2020 22:30
nga:Bislim Bislimi

Shkruan: Bislim Bislimi

Për çdo njeri serioz, sidomos nga sfera e politikbërësve serioz që kanë vullnet politik për të kundërshtuar korrupsionin, këtij të fundit i qaset, në radhë të pare, nga premia e trajtimit të tij si një fenomen social dhe jo konjuktural.

Përfaqësues politik të qytetarëve të vendit nesër, e kanë për borgj që nësë i qëndrojnë zotimeve për luftim të krimit dhe korrupsionit, këtë ta nxjerrin nga radha e mjeteve politike për ta goditur kundërshtarin. Edhe në Kosovë, sikurse kudo tjetër, korrupsioni dhe krimi i organizuar në radhë të parë e ka këtë dimension.

Është fenomen social, pra nuk bën përjashtim nga shkaqet dhe rrethanat e paraqitjes së këtij problemi që, tashmë po e vuajmë me lëkurën tonë si popull dhe që poashtu, rëndon zhvillimin normal të cdo vendi në botë.

Në Kosovë, qoftë nga politika, media, shoqëria civile apo bota akademike e kulturore, edhe kur e kanë zënë në gojë, ka ndodhur shpesh që korrupsioni nuk është debatuar, trajtuar apo goditur me qëllim të luftimit të tij. Më shumë ai, është përdorur thjesht si mjet politik qoftë për të goditur politikisht kundërshtarin, qoftë për të bërë reklamë vetës apo subjektit politik të caktuar.

Ligjerimi politik ka qenë i orientuar në stilin “cdo kush që është në X partinë, është i korruptuar” dhe “cdo kush që është në partinë tjetër, është i pastër”.

Pra, një trajtim konjuktural i korrupsionit që përvec se shërben si mjet propagande asnjë vlerë reale nuk e ka në luftimin e tij.

Duhet të pranohet pa ekuivoke se të korruptuar dhe të pastër ka edhe andej edhe këndej. Pas kësaj, mund t’i qasemi zgjidhjeve. Vetëm kështu, mund ta nxjerrim luftën kundër korrupsionit nga mjet politik, në qëllim politik.

Cdo shoqëri e mjedis politik, i ka të korruptuarit dhe të pa korruptuarit ose të korruptueshmit dhe të pakorruptueshmit e vet, të cilët, natyrisht se gjendën në pozita të pa pajtueshme dhe qoftë direkt apo indirekt, ata zhvillojnë një llojë kontradiksioni interesash, botëkuptimesh dhe vlerash.

Edhe në Kosovën tonë, normalisht se nuk janë të gjithë të korruptuar. Madje, ata që janë të pa korruptuar, gjasshëm janë shumica dërrmuese e cila pëson nga pakica që korrupsionin e ka shpresë të vetme për përfitim.

Ajo cfarë ndodhë në Kosovë me korrupsionin, dhe përsëri kjo nuk është përjashtim nga rastet e ngjashme që ndodhin në botë, shpjegohet pjesërisht përmes pytjeve themelore, përgjigja në të cilat, shtron shumëcka në drejtim të ndricimit më të drejtë të problemit. Këto pyetje themelore nisin nga një shpjegim i thjeshtë i raportit të forcave shoqërore me ndikim të lartë, të lidhura me problemin.

Më saktësisht, dhe para se gjithash duhet pyesim: në ballafaqimin e forcave shoqërore që janë me apo kundër korrupsionit, më kë është Qeveria? Cfarë pozicioni mbanë pushteti i organizuar politik dhe ekzekutiv në këtë ballafaqim? Interesat e cilës anë i mbronë Qeveria?.

Përgjigja në këto pyetje, në nivele krahasimore është ta zëmë në rastin e vendeve të perëndimit Qeveria dhe gjyqësori është i vendosur qartësisht dhe vendosmërisht, kundër të korruptuarve, përkatësisht Qeveria, sic thotë zhargoni popullor, është krah i forcave intelektuale progressive antikorrupsion. Ndërsa, në Kosovës kjo dihet.

Këtu, fakteqësisht, Qeveria ishte vijimësisht e nënshtruar ndaj grupeve të interesit dhe klientelës me të cilën zhvillonte një raport kontraktual të cuditshëm, ku Qeveria, atyre grupeve, u siguron përfitime të pa merituara ekonomike, të cilat, në kushtet e konkurrencës së lirë dhe funksionimit të raporteve të drejta të ekonomisë së lirë të tregut, nuk do të mund t’i arrinin.

Kështu ajo, shkatërronte tregun e lirë dhe konkurrencën lojale dhe poashtu dekurajonte forcërisht vetëiniciativën, inovacionin e të rinjëve, dekurajonte punën e talentin e vërtetë, studimin e zhvillimin tekonologjik si dhe prodhonte mosbesim në gjithë zgjirin e rregullatorëve të parimeve të lirisë ekonomike.

Nga ana tjetër, ose pala tjetër, i ofron mjete në dispozicion Qeverisë për të bërë pasuri përrallore, për të blerë media, për të blerë tituj akadamik duke shkatërruar vlerën intelektuale dhe akademike, për të blerë kompani të lobimit për imazh etj.

Qeveria, nga këto grupe, përfitonte edhe dicka shumë më të dëmshme për shoqërinë, pra përfitonte votat të cilat në kushtet e zgjedhjeve vërtetë të lira, nuk do të mund t’i përfitonin. Duke e blerë, shantazhuar dhe inxhinieruar besimin qytetarë,

Kosova e dezorganizonte shoqërinë politike nga tendancat zhvillimore e progressive, e çarmatoste atë nga mekanizmi më i rëndësishëm politik e emancipes që e kanë në dorë zgjedhësit: mbajtja në kufijë të llogaridhënies së pushtetmbajtësve dhe disiplinimi i tyre në kuptimin e ushtrimit të pushtetit politik në një drejtim të vetëm: në funksion të interesit publik.

Fatkeqësisht, Kosova kishte mandatin e fundit një Qeveri aq të dobët dhe të padenjë në cdo drejtim, sa që partneritetin me korrupsionin e ndjente të domosdoshëm si e vetmja rrugë e ekzistencës politike. Funksionimi korruptiv i saj, gati ishte legjitimuar.

Drejtuesit e koalicionit, cdo ditë e më shumë i shihnim faqe botës teksa justifikonin publikisht veprimet korruptive.

Ndikimi politik, në emërimin e zyrtarëve të lartë nëpër institucione, në kundërshtim me cdo kriter formal dhe material ligjor, ishte legalizuar.

Arroganca shkonte aq larg sa shpërfilleshin edhe obligimet me partnerët ndërkombëtar me të cilët ishte rënë dakord të monitorohen konkurset e zyrtarëve të lartë.

Qeveritë e pasluftës, me ndonjë përjashtim të vogël, me theks të vecantë kjo e fundit, ishin vënë në pozita kundërshtuese ndaj ekspertëve të mirëfilltë në shoqërinë tonë dhe atyre brenda institucioneve.

Mesazhet që u jepeshin studentëve ekselentë që studionin në Kosovë dhe jashtë Kosovës, apo atyre që kishin vullnet për t’ju nënshtruar dijes, ishin refuzuese.

Ky shkatërrim i cdo norme e vlere, duhet të ndalet.

Kosova duhet ta ketë një Qeveri antikorrupsion, e cila i vihet në partneritet vlerave humane, të cilat mbrohen edhe me sistemin tonë kushtetues dhe juridik e cila e nxjerr shtetin nga kapja korruptive, mbështetë rininë dhe avancon perspektivën.

Një gjeneratë e re udhëhehqëse e qeverisëse, duhet të sigurojë kushtet që përfitimet qoftë në treg përmes garantimit të lirisë ekonomike, qoftë në institucionet shtetërore dhe burimet publike, të arrihen me kriterin e meritës dhe vlerës së tyre si i vetmi kriter që sistemi juridik e njeh si pabarazi e bazuar në vlerë.