“Expose” prodhim televiziv i portalit “Gazeta Blic” sonte ka transmetuar në televizionin Kanal10 dokumentarin “Asgjë për Pakicën”.
Në këtë dokumentar është pasqyruar jetesa e komuniteteve pakicë që jetojnë në Kosovë, rom, ashkali dhe egjiptianë.
Angazhimi për të siguruar kafshatën e gojës për familjen, nuk mbaron as në kushtet e liga atmosferike, atëherë kur stuhia e shiut përfshin zonën ku ata banojnë.
Disa janë në kërkim të shisheve të plastikës e disa të tjerë të metaleve, të cilat pastaj i shesin për pak para në pikat grumbulluese që ndodhen në Fushë Kosovë.
“Vallah na më shumë merremi me shishe të plastikës, dalim nepër kanta, fitojmë nga 2-3 euro, 5 euro sa mos me i lënë fëmijët pa hangër e pi, me punu nuk po na merr askush, qështu sëmurë”, tha për Expose Turkjan Iseni, pjesëtar i komunitetit rom.
Me paratë që i ka fituar sot, Iseni ka vendosur të blej pak ushqim për familje, ndonëse është i vetëdijshëm se ato janë të nevojshme edhe për të paguar energjinë elektrike.
“Kështu ju po e shihni si po jetojmë, po i sigurojmë 3 euro për me mbajt familje, a me pagu rrymë apo diçka.. Tash 3 euro i kam në xhep, me këto duhet me marrë diçka në shtëpi me hangër”, tha ai.
Ani pse fiton pak, ai ndjet krenar me ato që arrin të sigurojë me forcën e tij.
“Me hangër me pi, sa me ja lyp dikujt, bile i kemi parat tona në xhep, qa me bo”, është shprehur ai.
Më poshtë mund ta ndiqni rrëfimin e plotë: