Opinion

Mbrëmja dramatike e Prishtinës – ose: pokeri i Hashim Thaçit dhe përkrahësve të tij me shtetin

12/22/2017 19:21
nga:Enver Robelli

Përpjekja për ta anuluar Ligjin për Gjykatën Speciale është një aventurë e rrezikshme.

Rrallëherë ka ndodhur që ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë të reagojë dy herë brenda dy orësh në Twitter me mesazhe të qarta. Sot pasdite Greg Delawie shkroi se ideja për të ndërruar ligjin për Gjykatën Speciale mund ta izolojë Kosovën në nivel global. Kjo, sipas ambasadorit, është ide e tmerrshme. «Mos e ktheni orën pas». Pastaj, kur me gjasë përgatitjet nëpër skutat e Kuvendit po vazhdojnë për të shfuqizuar ligjin, ambasadori sërish reagoi, sërish me gjuhë të ashpër: «Ne nuk kemi investuar aq shumë në përpjekje për suksesin e Kosovës për ta parë atë të shkatërrojë të ardhmen duke e shfuqizuar ligjin e Gjykatës Speciale».

Dje, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nga distanca thumboi qeverinë e Edi Ramës pas votimit të një rezolute të OKB-së që kërkonte nga administrata e presidentit Donald Trump të tërhiqte vendimin për pranimin e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit. Me këtë mesazh Thaçi përpiqej të dukej properëndimor dhe ta kritikonte Ramën si antiperëndimor. Sot, Edi Rama s’ka nevojë të flasë fare dhe t’i përgjigjet Thaçit, sepse po shihet qartë se flamurin e konfrontimit me botën perëndimore e ka marrë – Hashim Thaçi.

Ka disa ditë që janë mobilizuar veteranët e UÇK-së për të mbledhur nënshkrime kundër Gjykatës Speciale. Pasi nënshkrimet janë mbledhur, tani ka supozime dhe spekulime se partitë e «krahut të luftës» do të përpiqen që me një aksion kamikaz nëpër natë e nëpër mjegull të hidhet në votim propozimi për të anuluar ligjin për Gjykatën Speciale, të miratuar më herët nga Kuvendi i Kosovës.

Për arsyet e kësaj kthese të Thaçit dhe mbështetësve të tij që vijnë nga PDK, por ndoshta edhe parti të tjera vetëm mund të hamendësohet. Njëra nga këto hamendje është se Thaçi mund të ketë hetuar se po i dridhet toka nën këmbë dhe mund të jetë vetë cak i ndonjë aktakuze. Kjo nuk do të ishte ndonjë befasi, fundja në Raportin e Këshillit të Europës Thaçi përmendet disa herë në kontekst të akuzave të rënda, por përmenden edhe Kadri Veseli, Xhavit Haliti, Azem Syla, Fatmir Limaj e disa të tjerë të lidhur ngushtë me PDK-në. Sjellja e Thaçit lë për të kuptuar se ai (ose njerëz të afërt me të) kanë një hall të madh, me gjasë personal. Ndryshe, po të ishin cak të Gjykatës Speciale njerëz të rangut të dytë apo të tretë të UÇK-së ata nuk do t’i shkaktonin këto tërmete në jetën politike të vendit.

Fushata e Thaçit kundër BE-së ka filluar qëmoti. Presidenti i vendit në rolin e adoleshentit politik ka vajtuar se Kosovën e paskësh mashtruar bashkësia ndërkombëtare: ju miratojeni Gjykatën Speciale, ne, ndërkombëtarët, ju japim një thes me sheqerka, liberalizim vizash, sigurim njohjes, detyrim i Serbisë për të pranuar «realitetin në Kosovë», pranim i Kosovës në organizata ndërkombëtar. Thaçi sugjeron se ka ekzistuar një «deal» i tillë me ndërkombëtarët, ndërsa ndërkombëtarët thonë se pazare të tilla nuk janë bërë.

Tani që është bërë e ditur se mbi 40 deputetë kanë dhënë nënshkrimet e tyre për ta zhbërë Gjykatën Speciale, Kosova po hyn në një fazë të re dhe të rrezikshme. Pa marrë parasysh epilogun, kjo aventurë politike do t’u kushtojë shumë qytetarëve të Kosovës. Izolimi do të vazhdojë, pozicioni ndërkombëtar i Kosovës do të dobësohet, polarizimi mes kampeve politike do të thellohet. Kosova do të jetë një «dele e zezë» mes shteteve dhe nuk do të mund të llogarisë me mbështetje nga Perëndimi nëse parlamenti i saj tregohet aq joserioz dhe anulon një ligj të miratuar më herët dhe i cili nënkupton edhe marrjen e disa obligimeve karshi bashkësisë ndërkombëtare. E tërë kjo po ndodh për shkak të frikës së një grushti të njerëzve, të cilët janë të gatshëm të marrin peng një shtet dhe një popull për shkak të zahmeteve të tyre personale. Është një mbrëmje për t’u mbajtur mend. Një mbrëmje kur po luhet poker me shtetin. Kush merr pjesë në këtë lojë merr edhe përgjegjësinë për dëmtimin esencial të Kosovës dhe saboton drejtësinë, të cilën si shoqëri nuk kemi qenë në gjendje ta vëmë në funksion qe gati 20 vjet.

Burimi: DialogPlus

10/09/2018 19:15

Thaçin s’ka kush e ndal, kjo është deklarata e tij më e re për korrigjimin e kufijve