Lajme

Mbi 440 komisionerë do të angazhohen për rivotimin e nesërm në Istog

12/16/2017 18:40
nga:D.I

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar të gjitha përgatitjet për rivotimin e nesërm për kryetar të komunës së Istogut.

Sipas Zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi fletëvotimet dhe materiali tjetër i ndjeshëm zgjedhor do të shpërndahet sipas planifikimeve.

“Gjatë mëngjesit të së dielës do të bëhet shpërndarja e fletëvotimeve nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve nëpër të gjitha qendrat e votimit të kësaj komune”, ka thënë Elezi.

Ai ka shtuar se në komunën e Istogut janë 23 Qendra të Votimit me gjithsejt 63 Vendvotime, të cilat do të hapen në orën 7 të mëngjesit dhe do të mbyllën në orën 19.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka emëruar më shumë se 440 anëtarë të Këshillave të Vendvotimit (komisionerë) të cilët do të angazhohen gjatë ditës së diele.

Në komunën e Istogut numri i qytetarëve me të drejtë vote është 49 mijë e 150.

09/05/2018 16:45

Zjarr tek stacioni i autobusëve në Istog