Rashit Qalaj, i cili në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 nuk arriti të sigurojë një mandat deputeti, ka komentuar mbi arsyet që, sipas tij, çuan në këtë rezultat.
Ai për GazetaBlic, ka theksuar se, pavarësisht se ka fituar mbi 20,300 vota, një faktor që ndikoi në përjashtimin e tij nga Kuvendi ishte zbatimi i kuotës prej 30% për deputetët e gjinisë femërore, e cila ndikoi në renditjen e kandidatëve.
“Duke u bazuar në numrin e votave që i kam fituar që është mbi 20 mijë e 300, për shkak të 30% deputeteve të gjinisë femrore që duhen të jenë në listat e grupeve paralamentare, mendoj që kjo është edhe arsyeja pse unë nuk jam në mesin e deputetëve”, tha Qalaj,
Qalaj ka falënderuar anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që e votuan dhe ka uruar partinë për suksesin e arritur në këto zgjedhje. Ai ka shprehur se, megjithëse pritej një rezultat më i mirë, duke pasur parasysh zhvillimet dhe sfidat që ka kaluar PDK-ja, rezultati mund të konsiderohet i kënaqshëm.
“Fillimisht, duhet lavdëruar dhe falenderuar çdo anëtar të PDK-së që më ka votuar dhe poashtu e uroj partinë time për suksesin që kanë arritë në këto zgjedhje, normalisht që pritjen kanë qenë që të kemi rezultat më të mirë, por duke i marrë parasysh zhvillimet dhe situatat që ka kaluar PDK-ja, mendoj se është një rezultat i mirë”, shtoi ai.
Në përfundim, Qalaj ka apeluar për angazhim maksimal nga deputetët e rinj të PDK-së, duke theksuar se ata duhet të punojnë me përkushtim për të avancuar politikat e partisë dhe për të kontribuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës.
“Deputetët të cilët do të jenë pjesë e Grupit Parlamentar duhet të japin maksimumin, që t’i shtyjnë përpara të gjitha ato politika që ka PDK-ja për të mirën e qytetarëve të Kosovës”, tha Qalaj për GazetaBlic.