Zyra e Kryeministrit ka reaguar pas telefonatës mashtruese të dy blogerëve rusë ndaj kryeministrit Kurti, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, thuhet se ngjarja ka ndodhur më 11 shkurt, dy ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve dhe për shkak se Kurti po pranonte telefonata të shumta urimi, nuk kishte qenë i mundur verifikimi i të gjitha telefonatave.
“Ky incident fatkeq përforcon atë që kemi e ditur prej kohësh: Rusia është e fiksuar pas Kosovës dhe vazhdon ta ketë cak vendin tonë”, thuhet në reagim.
Postimi i plotë:
Deklaratë e Zyrës së Kryeministrit në lidhje me incidentin me telefonatën – prank call
Ngjarja ka ndodhur më 11 shkurt, pak pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, në një periudhë kur kryeministri Kurti po pranonte mesazhe të shumta urimi dhe thirrje për rezultatin e zgjedhjeve. Për shkak të kohës, jo gjithmonë ishte e mundur të kryheshin verifikimet e plota të çdo telefonate.
Ky incident fatkeq përforcon atë që kemi e ditur prej kohësh: Rusia është e fiksuar pas Kosovës dhe vazhdon ta ketë cak vendin tonë. Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Sputnik Serbia dhe Russia Today (RT) publikuan mbi 60 lajme të rreme dhe artikuj dezinformues, duke ndërhyrë në procesin tonë demokratik, siç dokumentohet nga Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve.
Teksa na vjen keq që kryeministri Albin Kurti u bë shënjestër e një thirrje të tillë, ky episod rikonfirmon qëndrimet parimore dhe konsistente të kryeministrit Kurti për çështjet kyçe, si në biseda publike ashtu edhe në ato private.