Lajme

MASHT largon nga puna zyrtaren e dyshuar për vjedhje në Bruksel

10/23/2018 21:47
nga:A. R.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ia ka ndërprerë marrëdhënien e punës zyrtares së lartë Igballe Cakaj, e cila dyshohet të ketë vjedhur në një qendër tregtare në Bruksel në muajin qershor të këtij viti.

Lajmin e konfirmoi zëdhënësi i Ministrisë, Valmir Gashi.

Sipas Gashit, vendimi është marrë nga sekretari i MAShT’it.

“Në lidhje me znj. Caka, komisioni disiplinor ka nxjerrë vendim që të largohet nga puna, dhe sigurisht që kjo nënkupton edhe ndërprerje nga çdo angazhim tjetër në kuadër të MAShT-it. Vendimin për të e ka marrë sekretari i Ministrisë, Ekrem Kastrati”, ka deklaruar zëdhënësi për KALLXO.com

 

Në vendim thuhet se udhëheqëses së Divizionit për zhvillim profesional të mësimdhënësve në MAShT i shqiptohet masa disiplinore: Ndërprerja e marrëdhënies së punës në shërbimin civil.

Pasi kishte dëgjuar deklaratën me gojë të Cakajt, Komisioni Disiplinor kishte ardhur në përfundim se provat e ofruara si dyshime për vjedhje apo tentim për vjedhje në lokalin në Bruksel në bazë të fakteve rezultojnë të vërteta.

Prandaj, Komisioni kishte rekomanduar ndërprerjen e marrëdhënies së punës për Igballe Cakajn.

Rasti për të cilin dyshohet tashmë ish-zyrtarja e lartë ka ndodhur në fund të qershorit.

Igballe Cakaj ishte pjesë e delegacionit të MAShT’it në takimin e ministrave të Ballkanit Perëndimor. Në këtë delegacion ishte edhe vetë ministri Shyqiri Bytyqi.

 

 

04/30/2019 16:26

Ministri Bytyqi dënon sulmin ndaj mësimdhënëses në Prishtinë