Lajme

Mark Esper: Nuk ka vendim për tërheqjen e forcave amerikane nga Iraku

01/07/2020 09:23
nga:B. D

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Mark Esper, ka mohuar se forcat e Shteteve të Bashkuara do të tërhiqen nga Iraku, ndonëse një gjeneral përmes një letre të publikuar më herët la të kuptohej se diçka e tillë do të ndodhte.

Në këtë letër thuhej se Shtetet e Bashkuara do t’i ripozicionojnë forcat gjatë ditëve dhe javëve në vazhdim pasi deputetët irakianë bënë thirrje për largimin e tyre.

Megjithatë, Esper tha se nuk është marrë vendim për tërheqjen e rreth pesë mijë ushtarëve nga Iraku.

“Nuk është marrë vendim për t’u larguar nga Iraku. Nuk di çfarë është ajo letër. Po përpiqemi të kuptojmë se nga ka ardhur ajo, por nuk ka pasur vendim për largimin nga Iraku, pikë”, tha sekretari amerikan.

Shtetet e Bashkuara i kanë rreth pesë mijë ushtarë në Irak si pjesë e një task-force të përbashkët ndërkombëtare, e themeluar në vitin 2014 për ta luftuar Shtetin Islamik. Qëllimi kryesor i këtyre forcave është trajnimi i ushtrisë irakiane.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka kërcënuar Irakun me sanksione të ashpra, nëse ky vend i dëbon forcat amerikane nga territori i vet, shkruan “BBC”.

04/19/2020 15:47

Zyrtari i VV-së: I pranuam testet nga Serbia, pasi na e kërkuan amerikanët!