Lajme

LVV: Ky është numri i deputetëve që do i fitonim, nëse zgjedhjet do të mbaheshin në qershor

07/08/2020 14:54
nga:A. R.

Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një sondazh në të cilin thuhet se nëse tash do të shkonte vendi në zgjedhje, kjo parti do të kishte mbi 50 për qind të votave.

Në faqen zyrtare të LVV-së në Facebook përmes një komunikate shkruhet se kanë mjaftuar vetëm 120 ditë të Qeverisë Kurti për ta përmbysur komplet skenën politike në vend.

“Qytetarët e vendit kanë dëshmuar mbështetjen e fuqishme për qeverinë Kurti dhe vendimet e saj. Në sondazhin e muajit qershor qytetarët kanë shprehur përkrahje të madhe për Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe Albin Kurtin”, thuhet në këtë njoftim, ku bëhet i ditur rezultati i këtij sondazhi.

“Në rast se zgjedhjet do të mbaheshin në qershor atëherë Lëvizja VETËVENDOSJE! do të kishte 56 ulëse në Kuvend, ndërkaq si kandidat për Kryeministër Albin Kurti gëzon mbështetjen e 47.8%, të gjithë liderët e tjerë politik së bashku nuk arrijnë këtë përqindje të mbështetjes”, thotë LVV-ja derisa bën të ditur se në këto matje të opinionit nuk përfshihet mërgata.