Lajme

Lutfi Haziri e Vjosa Osmani në “luftë” për postin e kryeministrit. Dy emrat rezervë, që mund të jenë kompromisi!

08/05/2019 15:17
nga:Gazeta Blic

Derisa edhe pak ditë pritet të shpërndahet Kuvendi i Kosovës dhe vendi pritet që në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit të shkoj në zgjedhje të reja, Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të mos e ketë ende kandidatin për kryeministër.

Partia e cila para dy ditësh zgjodhi për kryetar partie Isa Mustafën, pritet që brenda pak ditësh ta nominoj edhe kandidatin për kryeministër, ku për këtë post ka një konkurrencë të jashtëzakonshme.

Kryetari i rizgjedhur i LDK-së, Isa Mustafa ka bërë sot publike informatën se ai nuk ka ambicie për këtë post, derisa në garë më konkurrentët janë Vjosa Osmani e Lutfi Haziri.

Burime të Gazetës Blic brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë bërë të ditur se Lutfi Haziri me çdo kusht do të synoj që të nominohet nga partia për postin e kryeministrit.

“Ai ka mbështetje të fuqishme nga Agim Veliu dhe disa njerëz me ndikim të partisë, mirëpo kryetari i partisë, Isa Mustafa ende nuk ka dalë me qëndrimin e tij”, tha ky burim i Gazetës Blic.

Sipas këtij burimi, kundërkandidatja më e madhe e Lutfi Hazirit, është deputetja më e votuar femër në LDK, Vjosa Osmani.

“Për dallim nga Haziri i cili ka mbështetje më të madhe në strukturën e partisë, Vjosa Osmani ka mbështetje më të madhe tek elektorati i LDK-së, për faktin se ajo po konsiderohet se me asnjë variant nuk do të hyjë me PDK-në, kërkesë kjo e kahmotshme e votuesve të kësaj partie”, tha ky burim i Gazetës Blic.

Mirëpo, gjithnjë sipas këtij burimi të lartë në LDK, nëse ekziston rreziku i një përçarjeje në LDK, atehërë shumë lehtë mund të shkohet me një kandidat tjetër- konensual.

Ky burim përmend dy emra të mundshëm, nëse do të krijohet hendek në parti për shkak të Hazirit dhe Osmanit.

Sipas tij, mund të përsëritet skenar i ngjashëm sikurse me rastin e kryetarit të partisë.

“Kujtim Shala, ish ministër i Kulturës dhe Arban Abrashi, ish kandidat i LDK-së për kryetar të Prishtinës, shihen si emra të mundshëm konsensual për t’u nominuar si kandidat për kryeministër”, tha ky burim i Gazetës Blic.

Zyrtarisht nga LDK nuk kanë dashur të flasin se kush mund të jenë kandidati për kryeministër, derisa as disa nga kandidatët e mundshëm të përfolur për këtë nominim, nuk janë lajmëruar në thirrjet e Gazetës Blic.

Lideri i rizgjedhur i LDK-së, Isa Mustafa në një intervistë të dhënë për media ka thënë se ai nuk ka ambicie për kryeministër.

“Unë sigurisht do të bëj përpjekje që të gjejë një kandidat tjetër brenda LDK-së dhe vetë të mbaj timonin e LDK-së, por do të bëjmë përpjekje që bashkërisht të diskutojmë më Këshillin e Përgjithshëm, Këshilli vendos për atë çështje dhe unë tani jam i orientuar që në këtë pozitë të jetë një njeri që ta bëjë mirë këtë punë dhe ta ketë besimin e qytetarëve të Kosovës. Po do të gjejmë zgjidhje të brendshme, e cila çon nga njeriu i cili e bën më së miri këtë punë, dhe natyrisht që ka përkrahjen e plotë të LDK-së dhe të qytetarëve”, ka theksuar ai në këtë intervistë.

Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë ditës së mërkurë do ta mbajë mbledhjen e Këshillit Këshillit të Përgjithshëm të partisë ku edhe do të diskutohet për zgjedhjet e parakohshme, mirëpo nuk është specifikuar nëse do të nominohet kandidati për kryeministër.

Sipas kësaj partie, kjo mbledhje do të mbahet duke filluar nga ora 16:30 minuta.

“Ju njoftojmë që të mërkurën, më datë 7 gusht 2019, në orën 16:30, mbahet mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. Gjatë mbledhjes diskutohet për përgatitjet për zgjedhjet e përgjithshme. Takimi i KP mbahet në selinë qendrore të LDK-së”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Ndryshe, kryesia e Kuvendit gjatë ditës së sotme bëri të ditur se më 22 gusht do të mbahet seancë për shpërndarjen e kuvendit.

Ambasadori amerikan bashkon “kundërshtarët e fuqishëm” në LDK (Pamje)

 

12/09/2019 18:36

Paralajmëron Mimoza Kusari- Lila: Këto do të jenë pasojat nëse dështon marrëveshja VV-LDK