Lukas Podolski, fitues i Kupës së Botës në vitin 2014 me Gjermaninë, shpreson që marrëveshja për të blerë skuadrën polake Gornik Zabrze do të përfundojë në pranverë.
Ai u bashkua me Gornikun në verën e vitit 2021. Gurniku është në pronë të Komunës, por për muaj të tërë ata kanë treguar gatishmëri për ta shitur.
“Kam dëgjuar nga disa vende se procesi i privatizimit të klubit do të fillojë në shkurt. Nëse është kështu, do të isha shumë i lumtur. Mezi pres. Por ky vendim nga autoritetet e qytetit po shtyhet vazhdimisht. Sidoqoftë, unë jam gati. Nga ana ime, kam bërë gjithçka që është e nevojshme për këtë çështje. E di se ku është tavani im dhe sa larg mund të shkoj. Ofrova kushte shumë të mira dhe oferta ime mbetet në tryezë”, tha Podolski për goal.pl.
“Bisedimet janë duke vazhduar. Mendoj se në një ose dy muajt e fundit, qeveria ka bërë një hap përpara në lidhje me shitjen e mundshme të Gornikut. Unë, nga ana ime, do ta them përsëri: Do të isha i lumtur ta merrja klubin sa më shpejt të jetë e mundur, madje edhe në shkurt. Jam ende i uritur për sukses, dua të arrij shumë më tepër. Nuk po flas vetëm për renditjen tonë aktuale, por për ndërtimin e një klubi të fortë. Ajo që kemi arritur tani nuk është e mjaftueshme për mua. Nëse kemi një pjesëmarrje prej 25,000 në tribuna, dua që të jetë 28,000. Nëse kemi shumë sponsorë, dua të luftoj për të bindur edhe më shumë. Gjëja më e rëndësishme është që ekipi të bëhet një shtëpi e mrekullueshme. Por për këtë, do të nevojiten shumë më tepër njerëz”, shtoi ish-kampioni i botës.


