Lajme

Lugina e Preshevës mirëpret ftesën që t’i përdorin materialet e MASHT’it për mësim online

03/29/2020 20:09
nga:E Sh

Përfaqësues të Luginës së Preshevës e kanë mirëpritur ftesën e ministres në detyrë të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, që nxënësit e asaj ane t’i përdorin materialet e MASHTI-t për mësim online.

Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar shqiptar tani drejtor i shkollës “Zenel Hajdini” në Raincë të Preshevës, Shukri Ymeri, ka thënë se janë të lumtur që Kosova po mendon edhe për nxënësit e kësaj pjese, raporton KOHA.

Ndonëse, sipas tij, Qeveria serbe i ka porositur t’i shfrytëzojnë materialet e Serbisë dhe ato të Shqipërisë, ka thënë se do ta respektojnë edhe porosinë e ministres Bajrami për materialet mësimore të Kosovës.

Ministrja Hykmete Bajrami, të dielën, përmes një postimi në Facebobok, ka shkruar se MASHTI po punon në zgjerimin e mësimit online.

Ajo i ka ftuar shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc t’i shfrytëzojnë materialet e MASHTI-t për mësim nga distanca.

Ministrja ka bërë të ditur se nga e hëna do të nisë mësimi nga distanca për lëndët gjuhë shqipe dhe matematikë, duke filluar nga klasat 1-9, derisa nga 6 prilli, do të ketë materiale për shumicën e lëndëve.

Bajrami ka njoftuar, po ashtu, se kanë nisur prodhimin e video-mësimeve në gjuhë turke dhe boshnjake.

Të gjitha materialet për nxënës po shfaqen në RTK 1 dhe RTK 4, si dhe në një uebfaqe të MASHTI-t.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, mësimi në Kosovë është i pezulluar që nga 11 marsi. Të enjten Qeveria ka marrë vendim të vazhdojë ndërprerjen e procesit mësimor-edukativ deri në një vendim tjetër.

03/02/2020 07:22

28 vjet që kur shqiptarët e Luginës së Preshevës, kërkuan bashkim me Kosovën