Lajme

Luftë në Ministrinë e Infrastrukturës – Abdixhiku kërkon shkarkimin e Reçicës

02/14/2020 21:31
nga:A. R.

Një ditë pasi Sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçiça, denoncoi në polici për kanosje biznesmenin Valon Ademi, Ministri Lumir Abdixhiku duket se është vënë në lëvizje për ta vënë në ‘ofensivë’ mikun e tij që ka në pronësi një biznes për asfaltimin e rrugëve.

Ministri i ri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, të premten ka drejtuar një shkresë në Prokurorinë Speciale të Kosovës në të cilën ka kërkuar informacion nga ta nëse është duke u zhvilluar ndonjë procedurë hetimore ndaj sekretarit të përgjithshëm të ministrisë Betim Reçica.

Ai në shkresë thotë se nga mediat është informuar se ndaj Reçiçes Prokuroria Speciale ka iniciuar procedurë penale.

“Andaj, ju lutem më njoftoni nëse ndaj z. Betim Reçiça, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës është iniciuar ndonjë procedurë penale që ndërlidhet me ushtrimin e funksioneve të tij në administratën publike”, thotë Ministri i LDK-së në shkresën e tij drejtuar Prokurorisë Speciale, ditën e sotme, 14 shkurt 2020, të cilën e ka siguruar Gazeta “Reporteri.net”.

Shkresa është dërguar në Prokurori të Shtetit një ditë pasi Reçiça denoncoi në Polici një rast kanosje ndaj tij, të bërë nga biznesmeni Valon Ademi. Ky i fundit, pronar i kompanisë “2 A Group Sh.P.K., njihet si mik i afërt i Ministrit Abdixhiku.

Sekretari Reçiça, denoncimin për kanosjen përmes telefoni, që nder tjera thotë të jetë kërcënuar me jetë, ka njoftuar një ditë më parë përmes një shkrese edhe Kryeministrin Albin Kurti, Ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Rashit Qalaj.

“Sot më datën 13/02/2020, në ora 8:11 të mëngjesit kam pranuar një kanosje të drejtpërdrejt përmes telefonit nga Valon Ademi pronar i kompanisë “2 A Group Sh.P.K, ku jam fyer dhe kam pranuar kërcënime me jetë për mua dhe familjen time”, thuhet në shkresën e Reçiçes, të datës 13 shkurt 2020.

“Valon Ademi tash e një kohë njihet për veprimet e tij kërcënuese edhe ndaj ish-zyrtarit përgjegjës të prokurimit, Besim Tahirit, në kohën e ministrit Lutfi Zharku. Rasti për këtë sulm dhe kanosje ndodhet në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në zhvillim e sipër”, thotë sekretari i Ministrisë që drejton Lumir Abdixhiku.

Megjithatë, po del se Sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës Betim Reçica ka qenë i përgatitur për përballjen me Ministrin Abdixhiku.

Kjo pasi, siç e ka është mësuar, Reçica, certifikatën që dëshmon se nuk është duke u ndjekur penalisht në asnjë rast penal dhe as nuk është i dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, me vetiniciativë e ka dorëzuar në Kryeministri të Kosovës para më shumë se një jave.

Certifikata e lëshuar nga Gjykata Themelore e kryeqytetit, mbanë datën 06 shkurt 2020.