Lajme

“Lufta” për një ministri: Isa Mustafa e Albin Kurti po e rrezikojnë arritjen e marrëveshjes për koalicionin qeverisës!

12/02/2019 16:41
nga:Gazeta Blic

Edhe pse lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti kishte paralajmëruar ditën kur u certifikua rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit se qysh nga e hëna (sot) do ta kenë gati marrëveshjen për bashkëqeverisje me LDK-në, duket se një gjë e tillë ende është larg.

Ndonëse sot, dy herë radhazi Isa Mustafa e Albin Kurti patën takime kokë me kokë, kjo nuk mjaftoj për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Mirëpo, siç mëson Gazeta Blic, e gjithë “lufta” është për një ministri.

Derisa Lidhja Demokratike e Kosovës po kërkon që t’i ketë kryetarin e Kuvendit, 6 ministri dhe në momentin që e marrin edhe postin e presidentit, 1 ministri t’ia kthejnë Vetëvendosjes, duke u bazuar 5 me 5 sa I përket dikastereve qeveritare, partia e Kurtit ka një tjetër kërkesë.

Kjo parti po kërkon që derisa të zgjedhet Isa Mustafa president t’i kenë dy partitë nga 5 ministri, dhe në momentin që LDK e merr presidentin, Vetëvendosje t’i ketë 6 ministri dhe kryeministrin, pra 1 ministri më shumë se sa Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Pra, e gjithë lufta po zhvillohet se kush do ta ketë një ministri më shumë”, tha ky burim i Gazeta Blic.

Lajmi i fundit: LDK i kërkon 6 ministri, kur ta marrë postin e presidentit, do t’ia lëshoj njërën ministri VV-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pas takimit që ka zhvilluar me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, për arritjen e koalicionit të bashkëqeverisjes, ka thënë dallimet midis këtyre dy subjekteve politike do të zbulohen pasi të përafrohen ato.

Sipas tij, pa bisedime të tilla është e vështirë të arrihet një bashkëpunim i qëndrueshëm katërvjeçar, njofton Klan Kosova.

“E patëm një bisedë mjaft përmbajtjesore sepse pa biseda të tilla është e vështirë që të arrihet një bashkëpunim i qëndrueshëm katërvjeçar”.

“Natyrisht se e kemi pasur pajtueshmërinë sa i përket programit qeverisës dhe çështjeve të cilat janë harmonizuar ndërmjet grupeve tona punuese”.

“Dallimet tona do t’i tregojmë kur t’i përafrojmë ato, derisa ne po bisedojmë, ato mbesin çështje tona të cilat ne duhet t’i përafrojmë”.

Ndërsa, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas takimit me të parin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafës, ka thënë se ka një avancim për arritjen e koalicionit, por jo marrëveshje.

Me të dalë nga takimi, Kurti ka theksuar se nuk është arritur marrëveshja për shkak se ka gjëra për të cilat ende nuk janë marrë vesh.

“Atëherë kur të arrijmë marrëveshje do të flasim gjerë e gjatë. Ka avancim, por nuk ka marrëveshje ende por shkak se ka gjëra që nuk jemi marrë vesh”.

“Atëherë kur do ta kemi marrëveshjen e plotë, do të mund ta shpalosim atë gjerë e gjatë”.

Çka në të vërtetë po kërkon Vetëvendosje?!

06/29/2020 18:54

Paralajmëron zyrtari i LDK-së: Edhe PDK po futet në Qeverinë e Kosovës, Edi Rama, Hashim Thaçi dhe Aleksander Vuçiq po duan ta ndajnë Kosovën