Lajme

“Lufta” e pashpallur AAK- LDK: Kush kë do ta rrëzoj?!

09/13/2020 21:33
nga:Gazeta Blic

Një takim i kryeministrit Avdullah Hoti në Bruksel i zhvilluar para disa javësh, duket se ka thyer pariparueshëm koalicionin ndërmjet LDK-së e AAK-së.

Menjëherë pas vizitës së Hotit në Bruksel dhe emërimin e Skender Hysenit si koordinator shtetëror për dialogun, pa “lejen” e Ramush Haradinajt, ka çuar koalicionin në pikën më të “ulët”.

Përplasjet ndërmjet partnerëve të koalicionit vetëm sa janë intensifikuar.

Nuk ka mjaftuar as takimi që kishin para dy ditësh kishin ndërmjet vete lideri i LDK-së, Isa Mustafa me  atë të AAK-së, Ramush Haradinaj që të ndalet “lufta” e pashpalluar ndërmjet tyre, shkruan Gazeta Blic.

Një deklaratë e ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi i cili vjen nga AAK, në lidhje me politikën e jashtme që duhet ta ndjek kryeministri Hoti, ka “rebeluar” liderin e LDK-së, Isa Mustafa.

Ai është treguar i papërmbajtur, duke ia treguar AAK-së “pozicionin” e saj, dhe duke e rikujtuar partinë e drejtuar nga Haradinaj se kryeministri i përgjigjet vetëm Kuvendit dhe askujt tjetër.

Duhet te sqarohem lidhur me disa deklarata që po ipen rreth dialogut dhe rolit tim dhe të liderëve tjerë të koalicionit qeverisës.
Unë, si Kryetar i LDK-së nuk i jap udhëzime Kryeministrit Hoti. Unë konsultohem me Kryeministrin dhe partnerët e koalicionit për dialogun dhe për çështjet e tjera programore. Kërkoj dhe do të kërkoj të implementohet Programi qeverisës, kurse dialogu të zhvillohet në suaza të parimeve për të cilat jemi pajtuar.
Preferoj të kemi konsultime të rregullta dhe përmbajtësore me partnerët e koalicionit dhe me Kryeministrin, por edhe ta respektojmë Kryeministrit dhe ti besojme që ai ta kryej detyrën e tij.
Tezat, që po i proklamon Ministri i Drejtësisë, se Kryeministri do të jetë i pavarur në punët e tij të brendshme, kurse në punët e jashtme do të udhëzohet nga tre liderët politik, për mua janë ndërhyrje në përgjegjësitë kushtetuese të Kryeministrit dhe qeverisë, prandaj edhe të papranueshme.
Kryeministrin e udhëzon Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës; Qeveria dhe Kryeministri i përgjigjen Kuvendit të Kosovës. IM”, ka shkruar Isa Mustafa.

Kjo deklaratë e Isa Mustafës e ka heshtur AAK-në dhe ministrin e Drejtësisë Selim Selimi.

Gazeta Blic ka provuar që të flas me Selimin dhe me deputetët e AAK-së që ta marrë një koment të tyre, por askush nga partia e Haradinajt nuk e ka thënë asnjë fjalë.

Ndërkohë vetë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka kushtëzuar qëndrimin në Qeveri me postin e presidentit.

Ai këtë e ka arsyetuar me faktin se koalicionit LDK-AAK- Nisma do t’i bashkohet edhe PDK, dhe kësisoj pozita e partisë së tij në qeverisje do të dobësohej, e për pasojë nevojitet një ekuilibër i ri i pushtetit- ku presidenti do t’i takonte atij.

Megjithatë, nga PDK janë të ndarë për hyrjen në Qeveri.

Derisa Xhavit Haliti dhe disa zyrtarë tjerë nga kjo parti duan hyrjen e PDK në pushtet, lideri i kësaj partie, Kadri Veseli vazhdon të jetë kundër.

Analisti politik, Arben Ahmeti cili tha se këto zhvillime janë fushatë zgjedhore nëse nuk mund të zgjedhet presidenti e pastaj të shkohet në zgjedhje.

“Të gjitha këto lëvizje që po i shohim janë përgatitje të partive politike për zgjedhje në rast të mos arritjes së një ujdie për presidentin“, deklaroi Ahmeti për Gazeta Blic

Ahmeti tha se gjithmnë në Kosovë ka krizë kur vjen koha për të zgjedhur presidentin, prandaj kemi pasur koalicion me dy partitë më të mëdha në të kaluarën sepse nevojiten 80 vota për zgjedhje të presidentit.

“Përvoja ka tregu që në Kosovë gjithmonë ka zgjedhje ose krizë politike kur vie puna tek zgjedhja e presidentit, për shkak se duhen 80 vota e që zakonisht koalicionet qeveritare nuk i kanë nëse nuk janë dy partitë më të mëdha në koalicion, për shkak të kësaj neve në të kaluarën na është imponu me e pasë LDK-në dhe PDK-në në koalicion“, shtoi Ahmeti për Gazeta Blic.

Sipas Ahmetit zgjedhjet do të shmangen vetëm nëse PDK bashkohet në koalicion dhe zgjedhet presidenti i ri.

“Presidenti nuk mund të zgjedhet lehtë, ai mund të zgjedhet nëse koalicioni arrinë ta fusë në koalicion edhe PDK-në përndryshe zgjedhjet janë të pashmangshme, në koalicioni e bind PDK-në të hyjë në koalicion do kemi president e jo zgjedhje por nëse nuk arrihet kjo atëherë do të kemi zgjedhje“, përfundoi Ahmeti për Gazeta Blic.

Ndërkohë, VV ka paralajmëruar se brenda pak ditësh do të rrëzohet Qeveria Hoti.

Ahmeti “parashikon” se a do kemi zgjedhje të reja

 

10/01/2020 18:39

AAK nuk tërhiqet për asnjë “milimetër”: Posti i presidentit është i panegociueshëm