Sporti

Lorik Cana flet për trajnerin e ri të kombëtares shqiptare, tregon mangësinë e tij

04/19/2019 09:51
nga:M K

Edoardo Reja u zyrtarizua si trajner i kombëtares shqiptare. Një tjetër italian në stolin kuqezi, pas De Biasit dhe Christian Panuccit.

Ish-kapiteni ynë i shquar, Lorik Cana, ka pasur rastin të stërvitet prej tij e ta ketë trajner 73-vjeçarin te Lazio, ndaj e njeh mirë atë.

Për pasojë, fjala e rekordmenit të ndeshjeve me kombëtaren ka më shumë peshë, në vlerësimin që jep për këtë zgjedhje të presidentit Armand Duka.

Tashmë në rolin e analistit sportiv të Champions-it, Loriku ka analizuar profilin e trajnerit të ri. Për “Tring Sport”, ai ka nënvizuar:

“Edoardo Reja është një trajner me eksperiencë shumë të madhe. Me shumë mundësi, një nga trajnerët, që besoj se ka moshën më të madhe jo vetëm në Itali, por në mbarë futbollin.

Ne kemi pasur edhe Bariç, por ky vjen me moshë më të madhe. Unë e kam pasur Reja-n trajner te Lacio, në sezonin 2011-2012 dhe në vitin 2014.

E njoh mirë. Kur një trajner ka moshë 73-vjeçare dhe shumë përvojë, qëllimi është i qartë me të: të stabilizohet ekipi dhe të merret më e mira deri në nëntor, së paku.

Mirëpo, kjo pjesa që nuk ka absolutisht asnjë lloj përvoje, përveç kampionatit italian, ngre pak pikëpyetje.

Reja është një person që e njeh mirë futbollin dhe shpresojmë që të arrijë të marrë më të mirën nga ky ekip”.

12/03/2019 22:33

​​Bundestagu gjerman pritet të akordojë ndihmë financiare për Shqipërinë