Sporti

Lojtarëve iu bë presion ta trukojnë, anulohet ndeshja në Suedi

03/31/2020 19:25
nga:M K

Një ndeshje miqësore në mes të dy ekipeve të kategorive të ulëta të Suedisë është anuluar të hënën pasi të paktën një bastore ka ofruar mundësinë për klientët e saj që të vënë baste për atë ndeshje.

Në Suedi, tubimet me më pak se 50 persona ende lejohen, ndërsa skuadra e kategorisë së shtatë, Eskilstuna FC dhe skuadra e kategorisë së tetë Nashulta GoIF, kanë shpresuar për një miqësore të hënën.

Sipas “The Guardian”, ndeshja është anuluar pasi “njerëz nga e gjithë bota” kanë filluar të kontaktojnë lojtarët dhe trajnerët e të dy ekipeve.

“Gjatë gjithë ditës së djeshme janë kontaktuar lojtarët dhe stafi”, ka thënë kryetari i Eskilstunas, Bengin Ozeran. “Ata kanë rënë në kontakt përmes rrjeteve sociale. Kishte njerëz nga e gjithë bota. Kanë thënë gjëra si ‘shpresoj që do të pësoni humbje’ apo ‘ju dëshiroj fat’. Më shumë se 100 persona e kanë bërë këtë brenda një ore. Ishte kaos. Nuk ishte ditë e mirë”.

Ozeran ka thënë se është vendosur të anulohet ndeshja për siguri të lojtarëve. Ai ka thënë se asnjëherë nuk dihet çka mund të bëhet pasi njerëzit fillojnë të kontaktojnë lojtarët, përcjell Albeu.

“Madje është kontaktuar edhe një trajner në ligën ku luajmë ne, për t’u pyetur se si kemi luajtur në të kaluarën. Janë kontaktuar edhe ish-lojtarë tanë dhe janë pyetur për përbërjen. Ishte gjë e sëmurë”, ka thënë Bengin Ozeran.

Klubet kanë rënë në kontakt me Federatën e Futbollit të Suedisë dhe janë pajtuar që mos të zhvillohet ndeshja.

Një klub tjetër nga Eskilstuna, AC Primavera, ka pranuar mesazhe të urrejtjes pasi ka humbur një ndeshje miqësore së fundi.

“Ndodhi pas ndeshjes me BK Sport. Nisën të vijnë mesazhe në faqen tonë në ‘facebook’. Njerëz nga vende tjera ishin të ashpër ndaj klubit tonë dhe ndër të tjera na kanë akuzuar se kemi kurdisur lojën tonë. Disa kanë thënë që shpresojnë që ne të vdesim nga koronavirusi”, ka thënë kryetari i AC Primavera, Daniel Karlsson.

Suedia ka qasje që dallon nga shumica e vendeve evropiane sa i takon koronavirusit. Ky shtet nuk është izoluar dhe kufijtë e Suedisë mbesin të hapur. Shkollat dhe sallat e ushtrimeve mbesin po ashtu të hapura. Kryeministri Stefan Loefven ka kërkuar nga qytetarët që të “sillen si të rritur”.

09/16/2020 12:31

‘Ata sakrifikuan të moshuarit’: Si u përhap COVID-19 në shtëpitë e kujdesit në Suedi (video)