Sporti

Llapi pësoi thellë nga Drita, Batatina: Referimi ndikoi direkt në rezultat

07/05/2020 19:46
nga:Mergim Rreci

Janë zhvilluar dy ndeshje në Superligë sot.

Në ndeshjen Llapi -Drita, rezultati përfundoi në të mirë të mysafirëve 0 me 3, me auto-golin e shënuar nga Mërgim Pefqeli, golin e shënuar nga Kastriot Rexha dhe në fund me super golin nga distanca të Erion Vucajt, shkruan GazetaBlic.

Pas ndeshjes është deklaruar edhe trajneri i Llapit, Tahir Batatina. Ai tha se gjyqtari i ndeshjes ndikoi në rezultat.

“Në këtë përballje nuk ishte Llapi që jemi mësuar ta shohim. Kemi pranuar dy gola shumë herët dhe tejet naiv. Kemi patur mungesat e shumta për këtë ndeshje, por ajo e ‘gardianit’ Nava na ka penalizuar mjaft shumë, pasi që golat e pranuar sot kanë qenë kryesisht nga gabimet e portierit. Nuk dua që të arsyetohem, pasi që Drita e fitoi me meritë ndeshjen, mirëpo gjyqtarët e ndeshjet nuk lejuan që të luanim futboll dhe ishte faktor në rezultatin direkt të ndeshjes. Ishin disa pozita jashtë loje që nuk u akorduan dhe disa faula të lehtë të dhënë për kundërshtarin afër zonë dhe për këtë arsye mendoj që jemi dëmtuar”, deklaroi fillimisht Batatina për “Super Sport Kosova”.

Tekniku llapjan foli gjithashtu edhe për ndeshjet e radhës të skuadrës së tij, ndërkohë që premtoi se futbollistët e tij do ta japin gjithmonë maksimumin.

“Në ndeshjen ndaj Prishtinës dhe Gjilanit e kemi dëshmuar që Llapi nuk luan për kalkulimet e askujt. Kemi shpnzuar shumë energji në këto dy ndeshje, ndërkohë që u futëm disi të lodhur në takimin ndaj Dritës. Por, ju garantoj që Llapi edhe në ndeshjet në vazhdim do të futet në secilën ndeshje për fitore”, përfundoi Batatina.