Lajme

Lladrovci kundër kthimit të Limajt: Kush kthehet, hyn nga dera e vogël- Ai duhet ta kuptojë se është e shkuara e PDK-së

01/16/2023 14:54
nga:Genita C

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci thotë se opinioni i fundit i tij që publikoi në “Facebook” lidhur me zhvillimet e fundit në PDK, nuk kishte të bënte me Fatmir Limaj.

Lladrovci në një prononcim për GazetaBlic thotë se, emra nuk ka cekur por sipas tij “kush e gjen veten brenda asaj çfarë kam thënë, e bajtë me shëndet”.

“Reagimi im kishte të bënte me fenomenin, jo me emra. Nëse dikush e gjen veten brenda opinionit tim, e bajtë me shëndet. Mediat gëzojnë lirinë e konkludimeve, por emra nuk kam cekur. Unë jam marrë me dukurinë e shëmtuar të vlerësimit të atyre që bëjnë shantazhe dhe presione për qëllime personale. Aq më keq, vlerësohen keqbërësit, të gatshëm për dëme të reja”, tha Lladrovci.

I pyetur se duhet apo jo që Limaj të kthehet në Partinë Demokratike të Kosovës, Lladrovci thotë se kush vjen përsëri në atë parti duhet të hyjnë nga dera e vogël, teksa shton se nuk është në dijeni për personin brenda PDK-së që po e dëshiron me çdo kusht kthimin e Limajt.

“Nuk jam ithtar i riciklimeve, po ashtu e kam thënë se ata që dalin nga dera e madhe e një subjekti politik, për t’u kthyer, duhet të hyjnë nga dera e vogël”, tha Lladrovci.

“Nuk mund të them se kush po e favorizon më shumë a më pak, por, opinioni im ka qenë më se i qartë dhe ata e dinë se unë e di, jo vetëm tash, por edhe në zgjedhjet e kaluara”, shtoi Lladrovci.

Lladrovci nuk ka dhënë detaje për opinionin e Krasniqit dhe Çitakut në lidhje me këtë çështje, por sipas tij PDK-ja duhet të ec përpara me të rinj e të reja.

Sipas Lladrovcit, Fatmir Limaj duhet të kuptojë se është e shkuara e PDK-së.

“Nuk i di opinionet e tyre, unë kam manifestuar opinion si njohës i rrethanave dhe njerëzve që duan të prodhojnë rrethana. Moti jam në politikë dhe i mirëinformuar.Kam dhënë shpjegime të bollshme në opinion dhe nuk merrem me këtë situatë hipotetike se a duhet apo jo. E ritheksoj se PDK duhet të ecë përpara me të rinj e të reja që shef e kanë ligjin, praktikat më të mira qeverisëse me vlerat euro-atlantike. Disa duhet ta kuptojnë se janë e shkuar!”, përfundoi Limaj për GazetaBlic.

Grabovci për kthimin e Limajt: PDK nuk është sikur ata autobusët e vjetër, kur konduktori e përcaktonte kush mund të hyjë dhe zbres nga autobusi

A duhet të kthehet Fatmir Limaj në PDK?! Xhavit Haliti me një qëndrim ‘interesant’