Lajme

Lista Serbe kërkon hise në Trepçë, për votën pro demarkacionit

03/09/2018 11:40
nga:Q F

Lista Serbe ka paraqitur një kushtëzim politik për ta votuar demarkacionin me Malin e Zi.

Përfaqësuesit e kësaj partie politike që kontrollohen nga Beogradi, por që janë pjesë e Qeverisë së Kosovës, sipas burimeve të televizionit publik, kanë kërkuar që Serbia të bëhet hisedare në Trepçë.

Ky kushtëzim i Listës Serbe i është konfirmuar RTK-së nga anëtarët e kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Ata kanë thënë se jo vetëm ky kusht, por edhe çdo kusht tjetër është i papranueshëm për Veselin dhe se ai, “në asnjë mënyrë nuk do të pranoi të bëjë pazare me Listën Serbe sa i përket votimit të demarkacionit”.

Veseli, siç kanë thënë anëtarët e kabinetit të tij, mbetet i përkushtuar që të mos i nënshtrohet asnjë matematike që ka për qëllim dëmtimin e shtetit të Kosovës, për sa kohë që është i interesuar që demarkacioni të kaloi me votat e shumicës shqiptare.

Demarkacioni kundërshtohet nga deputetët e Vetëvendosjes, ndonëse ka edhe deputetë tjerë shqiptarë brenda koalicionit që nuk pajtohen me vijën kufitare të përcaktuar nga komisioni shtetëror i kryesuar nga Murat Meha, shkruan AktivPress.

Pavarësisht arritjes së një ujdie mes PDK-së, AAK-së e AKR-së në njërën anë dhe LDK-së në anën tjetër që të votohet Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin, një gjë e tillë ende nuk prodhuar asnjë efekt pozitiv.

Përkundrazi sërish kanë shpërthyer mospajtimet mes LDK-së dhe AAK-së përkitazi me formulimin që i ka bërë Komisioni parlamentar për Punë të Jashtme, rekomandimit për votimin e këtij projektligji.

Projektligjit i është bashkëngjitur deklarata e dy presidentëve, të Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe raporti i Komisionit Bulliqi. Mirëpo ky i fundit është lënë vetëm si raport informues.

Qeveria pretendon se tash për tash demarkacioni ka mbetur peng i dy votave.

Me Kushtetutë, ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare kërkon së paku 80 vota.

Pa u siguruar ato, nuk pritet të thirret seancë parlamentare për këtë çështje.

Bashkimi Evropian e ka vënë si kusht ratifikimin e demarkacionit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës./

06/18/2018 14:40

Ministri serb: Shqiptarët do ta pranonin ndarjen e Kosovës para vitit 1999