Lajme

Limaj: S’jemi të kënaqur me bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri

11/09/2018 15:24
nga:Q F

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj sot gjatë një vizite në Odën Ekonomike të Kosovës (OEK), ka thënë se Qeveria e Shqipërisë duhet ta gjejë modalitetin për zbutjen e taksës në Rrugën e Kombit dhe Kosova të trajtohet ndryshe në aspektin ekonomik.

Limaj pret që në mbledhjen e ardhshme të dy qeverive shqiptare të zgjidhen problemet ne aspektin ekonomik.

“Ne e dimë se kemi probleme të bashkëpunimit ekonomik, Kosovë-Shqipëri. Nuk jemi të kënaqur me nivelin bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri. Nuk po shfrytëzohen të gjithë mundësitë që janë për të bashkëpunuar. Për me tepër nga njëherë kemi pengesa dhe telashe dhe ngarkesa të pa nevojshme që e rëndojnë aktivitetin ekonomik”, theksoi Limaj.

Ndërsa çështja e taksës së mallrave me Serbinë, Limaj tha se Serbia në vazhdimësi ka shkelur marrëveshjen e CEFTA.

Vendimi ndaj mallrave të Serbisë nuk është thjesht vetëm çështje tregtare, por është edhe kombëtare.

“Sjellja e Serbisë në raport me Kosovë, ka prek çështjen e sigurisë nacionale. Kjo(taksa)është çështje e sigurisë nacionale, nuk është thjesht çështje tregtare. Prandaj, edhe ne jemi të detyruar të marrim masa për mbrojtjen dhe sigurinë nacionale të vendit tonë… shpresoj që këto veprime të Serbisë dhe Bosnjes të ndalen dhe pastaj të kthehemi në normalitet”, ka thënë Limaj.

Kryetari i OEK, Berat Rukiqi theksoi se OEK e ka përkrah vendimin e Qeverisë për taksën prej 10 përqind me Serbinë. Ndërsa, shtoi se edhe një barrierë kryesore mbetet me Shqipërinë, taksa rrugore dhe procedura të tjera në kufi.

“Bashkëpunimi me vendet e rajonit, edhe pjesa që lidhet me punësimin, me rritjen e eksportit, me avancimin e sistemit tonë arsimor. sot e patëm një diskutim për disa nga temat që lidhen edhe me orientimet strategjike, që lidhen edhe me bashkëpunimet me vendet tjera, sidomos me Shqipërinë, duke qenë që Limaj është koordinator në përgatitjen e mbledhjes së dy qeverive që do të mbahet më 26 nëntor në Pejë. Dhe pjesa më e rëndësishme është diskutimi për çështjet ekonomike, para së gjithash për barrierat me Shqipërinë, si dhe jemi duke shkuar drejt një iniciative për krijimin e një Ode bilaterale me Shqipërinë. Si dhe aktualiteti i fundit për taksën 10 përqind për produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina”, ka thënë Rukiqi.

Kreu i OEK ka thënë se është shumë me rëndësi që politikat ose vendimet që merren në Qeveri, ose ligjet që miratohen ta kenë një filtër në Odën Ekonomike, në mënyrë që pastaj të mos krijohet çrregullime në treg.