Lajme

Limaj për vrasjen e policit në Veri: Sulm terrorist, i orkestuar dhe zbatuar nga bandat kriminale serbe

09/24/2023 13:08
nga:Lorik J

Tronditës dhe të papranueshëm e ka vlerësuar, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës dhe plagosjen e policit tjetër në veri të vendit.

“Ky akt është sulm i rëndë ndaj institucioneve dhe zyrtarëve të Republikës së Kosovës, i orkestruar dhe zbatuar nga bandat kriminale serbe, që përveç se përbën sulm kundër rendit juridik e kushtetues të vendit, ndikon në prishjen dhe stabilitetin rajonal”, ka shkruar ndër të tjera Limaj.

Postimi i plotë:

Tronditës, i papranueshëm e i dënueshëm vrasja e rreshterit të Policisë së Kosovës dhe plagosja e dy policëve të tjerë!

Ky akt është sulm i rëndë ndaj institucioneve dhe zyrtarëve të Republikës së Kosovës, i orkestruar dhe zbatuar nga bandat kriminale serbe, që përveç se përbën sulm kundër rendit juridik e kushtetues të vendit, ndikon në prishjen dhe stabilitetin rajonal.

U bëjmë thirrje institucioneve të sigurisë në vend që në bashkëpunim të plotë me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë në Kosovë të ndërmarrin masat e duhura për të siguruar paqen, sigurinë dhe integritetin shtetëror dhe në të njëjtën kohë të punojnë në identifikimin dhe nxjerrjen para drejtësisë së akterëve të këtij akti barbar.

Ngushëllime familjes së policit të vrarë dhe shërim të shpejtë të plagosurve!

Fatmir LIMAJ