Lajme

Ligji për gjuhët në Kosovë nuk po zbatohet plotësisht

11/09/2017 12:44
nga:A K

Ndonëse Kosova ka legjislacion të avancuar, ende ka shumë punë për t’u bërë në implementimin e të drejtave gjuhësore.

Kështu është thënë sot në një forum për respektimin e të drejtave gjuhësore, organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.

Komisionari i lartë i OSBE-së për pakica kombëtare, Lamberto Zannier, tha se respektimi i të drejtave gjuhësore është thelbësore për të garantuar qasje në institucionet publike.

Ai tha se kur ligjet janë në mos përputhje me gjuhët zyrtare, komunitetet nuk kanë mundësi që të realizojnë të drejtat e veta, gjë e cila çon në margjinalizim, në vështirësi në qasje ndaj policisë, gjyqësorit apo medias.

Zannier tha se integrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serb  do të dobësohet nëse ligjet nuk janë të përkthyera mirë dhe nëse përkthimi verbal nuk është në dispozicion. Sipas tij përkthimi i tillë është vital që komunitetet të jenë të përfaqësuara.

“Investimi në respektim të drejtave gjuhësore krijon ndjenjën e largimit dhe parandalon integrimin, respektimin dhe promovimit të të drejtave gjuhësore në Kosovë, pra është kritik për integrimin kuptimplotë dhe ndërtimin e një shoqërie multikulturore shumë gjuheshe. Pra, është me rëndësi që të mundësohen proceset e ndërveprimit me zyrtarë qeveritarë. Ende shoh shenja në Kosovë për shembull në sistemin gjyqësor, në sistemet arsimore, përparimi kërkon komunikim dhe mundësia që komunitetet të ndër veprojnë në gjuhët e tyre me  administratat publike dhe një ndër veprim i tillë mund të ofrojë siguri për qytetarët, të mbrojë të drejtat e njeriut dhe të sigurojë qeverisje të mirë dhe efektive, si dhe të tejkalojë përçarjet në mes komuniteteve. Dështimi në ofrimin e ligjeve dhe udhëzimeve në gjuhët zyrtare do të vazhdojë të pengojë progresin dhe ky pastaj është thelbi i shumë sfidave që na dalin”, t ha ai.

Ai tha se nuk ka dyshim që zhvillimi i aftësive gjuhësore dhe administratës shumë gjuhësh është proces afatgjatë që kërkon përpjekje të konsiderueshme, por  duhet të jetë e kuptueshme se koha ka kaluar dhe këto pengesa duhet tejkaluar.

Ndërsa, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, tha se ka mos përputhje mes versioneve të ndryshme gjuhësore të dokumenteve zyrtare dhe ligjeve.

“Ka mospërputhje mes versioneve të ndryshme gjuhësore të dokumenteve zyrtare dhe pastaj ligjeve. Kjo ndodh përkundër faktit që të dyja gjuhët janë të barabarta dhe njëjtë zyrtare, kjo dërgon në një lloj hutie kur për shembull gjyqtari përballet me dy versione të ndryshme gjuhësore të të njëjtit ligj, të dyja kanë zbatim të njëjtë, por thonë diçka tjetër. Kjo i provon ndonjëherë njerëzit edhe nga qasja në drejtësi, pra kur nuk janë në gjendje të kuptojnë të drejtat e tyre apo ligjin në gjuhën e tyre zyrtare. Ne besojmë se ka dy hapa të menjëhershëm që mund të lehtësojnë zbatimin e mbrojtjes ligjore në lidhje me të drejtat ligjore. Së pari, duhet të miratohet një strategji gjuhësore dhe hapi i dytë është që të krijohet një bazë ligjore e përshpejtuar për korrigjimin e mos përputhjeve në ligje”, tha ai.

Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se edhe pse Kushtetuta e vendit është mjaft e avancuar, mbetet edhe shumë për tu bërë në implementimin e të drejtave gjuhësore.

“Kushtetuta jonë është  mjaft e avancuar siç u tha edhe në lidhje me të drejtat gjuhësore dhe siç e tha më të drejt jemi vend  dy gjuhësh, shqipja  dhe serbishtja janë gjuhë zyrtare, por po kemi shumë për të bërë në kuptimin e implementimit të ligjit dhe të drejtave të tilla. Por, gjithsesi duhet të vazhdojmë me përkushtimin tonë dhe të sigurohemi që komunat ku ka  komunitete të tjera si  boshnjak, rom e të tjerë që të ju japim atyre mundësin e cila parashihet me ligj, por të ju jepen edhe mundësit që të drejtat e tyre të mund të gëzohen, të mund të zbatohen në gjuhët e tyre përkatëse. Qeveria e Kosovës është  mjaft e vetëdijshme që ka shumë punë për tu bërë dhe jo vetëm  në legjislacion por edhe në punën e përditshme”, tha Haradinaj.

Po ashtu, Haradinaj tha se mbledhjet e Qeverisë mbahen në dy gjuhë, që ai e cilësoj si shumë sfiduese, por që ka zotim dhe përkushtim në këtë drejtim,

Ndërkaq, zëvendëskryeministri dhe ministri për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jevtiq, ka thënë se këto probleme për gjuhët duhet të zgjidhen me hapa konkret.

Sipas ministrit ka qenë e mundur të punohet edhe më shumë në këtë drejtim siç është bërë edhe në ministrinë që ai e udhëheq ku asnjë dokument nuk është lëshuar pa u përkthyer në të gjitha gjuhët zyrtare.

“Ministria ku unë shërbej mund të shërbej si shembull, se si ne jemi ballafaquar me  këtë çështje viteve të kaluara. Asnjë dokument nuk ka dal nga Ministria për Kthim dhe Komunitete nuk ka dalë vetëm në një gjuhë të vetme, ka dalë gjithmonë në gjuhët zyrtare. Kemi dhënë një shembull ndryshe dhe dua të them  se na takon edhe neve institucioneve që me shembuj tonë konkret të tregojmë që mund të ndryshojmë diçka e mos të presim që thjeshtë të na drejtoj vëmendjen ndaj problemeve zyra e komisionarit të gjuhëve”, tha ai.

Në këtë forum për respektimin e të drejtave gjuhësore në Kosovë morën pjesë edhe ambasadori i Austrisë, Zvicrës, Finlandës dhe Belgjikës

11/20/2017 12:36

Gjuriq: Lista Serbe fitues absolut i zgjedhjeve lokale në Kosovë