Cult

Libri që dëshmon për barbarizmin serb në QKU

04/17/2018 14:53
nga:Gazeta Blic

U promovua libri “Krimet dhe Keqtrajtimet e Pacientëve dhe Personelit Mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nga Forcat Policore dhe Ushtarake të Serbisë Gjatë Luftës në Kosovë 1998-1999” i Dr. Salih Krasniqit.

Naim Quaf ishte njëra prej shumë pacientëve që është trajtuar në kohën e luftës nga doktor Krasniqi, që mori lëndime të rënda nga forcat paramilitare serbe gjatë luftës në Kosovë.

Ai erdhi nga Gjermania për të marrë pjesë në përurimin e librit në të cilin është shkruar shumë për të.

Naim Qufaj tha për KosovaPress ka thënë se e kanë quajtur kriminel për arsye se ka qenë ushtar i UÇK-së gjatë luftës në Kosovë.

Me emocione të shumta ai shpalosi një histori të asaj kohe, ku pas lëndimeve të rënda nga paramilitarët serb, ai është dorëzuar në duart e doktor Salih Krasniqit në QKUK për tu trajtuar.

“Kam qenë ushtar i UÇK-së, kam luftuar për vendin tim dhe për atë më kanë quajtur kriminel…Jam plagosë me datën 09.09.1998 në fshatin Greigoc dhe prej aty na kanë dërgu në spital të Grushevcit, aty kemi ra në duar të Policisë, tani kryqi kuq na ka dërguar në spitalin e Pejës , pastaj në spitalin e Prishtinës dhe aty është kujdesur doktor Salihu, na kanë malltretuar shumë, ashtu siç e ka cekur doktor Saliu në libër”, tha Qufaj.

Recensenti i librit, Ismet Salihu ka thënë se doktor Salihu në kohërat më të vështira të luftës, i doli në ndihmë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke bërë intervenime kirurgjike ndaj atyre që kishin plumbat në trup.

“Doktor Salihu nuk u zhgënjye, por përkundrazi gjatë tërë kohës së bombardimeve doli në male në mesin e pjesëtarëve të UÇK-së dhe u dha ndihmë mjekësore duke ua nxjerrë plumbat nga trupat e ushtarëve të plagosur, të ushtarëve të UÇK-së dhe duke kryer interesime tjera kirurgjike më kushte shumë të rënda… Autori Sali Krasniqi me fakte dhe prova të pakontestueshme dhe si dëshmitar okular në këtë botim ia prezanton popullit tonë shqiptar dhe atij ndërkombëtar, krimet më mizore nga forcat policore dhe paramilitare serbe”, tha Salihu.

I pranishëm në atë përurim ishte edhe Ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi, i cili ka thënë se libri i doktor Krasniqit është një libër model edhe për historianët e mirëfilltë, pasi ka fakte të pakundërshtueshme për të treguar se cilat ishin të vërtetat gjatë kohës së asaj historie.

“Libri i profesor Krasniqit ka një veçori shumë-shumë të madhe që unë e vlerësoj jashtë mase, se kemi të bëjmë me një personalitet i mizuar pozitivisht humanist dhe historian, asnjëherë doktori nuk harroj që të marrë shënime për ta bërë efektive, për ta bërë më të bindshme terrorin serb në Kosovë. Është një shembull i madh dhe për historianët e mirëfilltë që mos të ecin vetëm me gojëdhëna, por edhe me fakte të pakundërshtueshme për të treguar se çfarë ka ndodhur në Kosovë për një periudhë të caktuar të historisë”, tha Minxhozi.

Kurse, autori i librit, Salih Krasniqi para shumë të pranishmëve, ka thënë se librin që ka shkruar është dëshmia e veprimeve barbare serbe që kanë bërë ndaj pacientëve dhe personelit të QKUK-së gjatë luftës së Kosovës.

Ai tha se në atë libër janë të prezantuar emrat e të gjithë atyre që janë trajtuar në ato kohëra të vështira për plagët që u kishin shkaktuar nga policia serbe në hapësirat e QKUK-së.

“Ky është libri i parë faktmbledhës që dëshmon për veprimet barbare në përmasat gjenocidale të pushtetit serb ndaj pacientëve dhe personelit shëndetësor në QKUK gjatë luftës së fundit për liri të Kosovës. Është një libër faktografik për mes të cilit kam dashur të pasqyroj përmasat e të gjitha formave, të dhunës dhe presionit të ushtruar nga pushteti serb…Prezantohen emrat e pacientëve të trajnuar në spital, diagnozat e tyre dhe peripecitë që atyre ua kishte shkaktuar policia serbe vendosur brenda QKUK-së”, tha autori i librit.

Azem Hajdari, po ashtu recensent i librit të Salih Krasniqit, tha se autori me pedanteri të veçantë i ofron lexuesit kosovar shumë informacione faktogragike dhe argumente shkencore mbi shkatërrimit të sistemit shëndetësor të Kosovës duke filluar para luftës, gjatë luftës dhe pas saj.