Lajme

Liberalizimi i vizave për Kosovën-Tanja Fajon: S’ka më arsye për justifikime

10/29/2019 14:38
nga:B. D

Eurodeputetja dhe raportuesja për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon ka thënë se shteti i Kosovës i ka plotësuar kushtet e kërkuara nga BE për çështjen e vizave. Ajo tha se do të angazhohet maksimalisht që ky proces të përmbyllet sa më parë dhe shtoi se argumentet kundër që mund të kenë disa shtete anëtare të BE-së tani nuk do të mund të justifikohen.

Premtime për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës po bëhen çdo vit.

Qysh para se të fillonte dialogu me Komisionin Evropian në janar të vitit 2012 e para se të pranohej udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave në qershor të po atij viti, liderët vendorë kishin dhënë premtime se kosovarët së shpejti do të lëviznin lirshëm.

Por, vizat nuk u hoqën edhe pas konfirmimit të Komisionit Evropian, i cili korrikun e vitit 2018 tha se Kosova i ka plotësuar edhe dy kushtet e fundit për liberalizim: Demarkacionin dhe arritjet në luftimin e krimit dhe korrupsionit.

Mirëpo, edhe këtë vit nuk dihet se a do të ndodhë një gjë e tillë.

Deputetja e Parlamentin Evropian (BE) dhe raportuesja për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, në një intervistë për FaktePlus ka thënë se pavarësisht që shteti i Kosovës ka plotësuar kushtet e kërkuara nga BE, nuk mund të jep ndonjë afat se kur do të mund të ndodhë liberalizimi.

“Nuk do të doja të jepja afatet e sakta kur do të mund të ndodh liberalizimi. Pasi Këshilli të ketë dhënë dritën e gjelbër, Rregullorja mund të miratohet me shpejtësi. Topi është në duart e qeverive të BE-së. Si raportuese, do të bëj gjithçka që është në fuqinë time, për ta bërë të realizueshme këtë, për qytetarët e Kosovës që të udhëtojnë pa viza sa më shpejtë që të jetë e mundur”, ka thënë Fajon.

Ndërsa, ka thënë se pesë shtetet që nuk e kanë njohur ende Kosovën, nuk duhet ta shohin njëjtë çështjen e njohjes me liberalizim.

Sipas saj, liberalizimi nuk duhet të shihet si çështje politike.

“Shpresoj që shtetet, të cilat nuk e njohin Kosovën, nuk e shohin njohjen dhe liberalizimin e vizave si të njëjtën gjë. Ne dhe të gjitha institucionet e BE-së nuk e shohim këtë çështje në atë mënyrë. Mund t’ju kujtoj se BE ka hequr vizat për Tajvanin edhe pse nuk po e njeh shtetin. Heqja e vizave është e rëndësishme për njerëzit e thjeshtë në Kosovë dhe nuk duhet të shihet si çështje politike. Në këtë rast, nuk është e justifikueshme për askë që ta sheh këtë si një problem”, ka deklaruar Fajon.

Raportuesja Fajon ka folur edhe për procesin zgjedhor në Kosovë, duke thënë se tash kur zgjedhjet kanë përfunduar, Kosova duhet të formojë sa më shpejtë institucionet e saj.

“Pas zgjedhjeve, është e rëndësishme që Kosova të formojë institucionet e reja sa më shpejtë që të jetë e mundur në mënyrë që të vazhdojë të punojë ngushtë me vendet evropiane”, ka shtuar ajo.

Ndërsa, ka pranuar se kur bëhet fjalë për vendet e Ballkanit Perëndimor, Parlamenti Evropian ka pasur shumë dështime.

FaktePlus: Zgjedhjet në Kosovë kanë mbaruar, por institucionet e vendit ende nuk janë formuar, dhe qytetarët prej kohësh presin për liberalizimin e vizave. Sa ndikon kjo situatë në liberalizimin e vizave. Kur do t’i gëzohen saktësisht qytetarët e Kosovës këtij lajmi?

Fajon: Pas zgjedhjeve, është e rëndësishme që Kosova të formojë institucionet e reja sa më shpejtë që të jetë e mundur në mënyrë që të vazhdojë të punojë ngushtë me vendet evropiane. Për më tepër, qeveria e re nuk duhet të devijojë nga përparimi i bërë deri më tani në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe duhet të vazhdojë të zbatojë të gjitha kërkesat e nevojshme për heqjen e vizave. Nuk do të doja të jepja afatet e sakta kur do të mund të ndodh liberalizimi. Pasi Këshilli të ketë dhënë dritën e gjelbër, Rregullorja mund të miratohet me shpejtësi. Topi është në duart e qeverive të BE-së. Si raportuese, do të bëj gjithçka që është në fuqinë time, për ta bërë të realizueshme këtë për qytetarët e Kosovës që të udhëtojnë pa viza sa më shpejtë që të jetë e mundur.

FaktePlus: Kur pritet që institucionet kompetente brenda BE të diskutojnë dhe të marrin një vendim për këtë proces?

Fajon: Siç e kujtojmë të gjithë, Parlamenti Evropian ka dhënë dritën e gjelbër tashmë në prill, gjë që është  e rëndësishme për hapat e ardhshëm. Për më tepër, mandati im u rikonfirmua nga Parlamenti i ri Evropian në shtator. Në dhjetor Komisioni i ri  Evropian  e ka marrë përsipër këtë çështje. Unë pres nga Presidenca Finlandeze e Bashkimit  Evropian dhe Komisioni i ri Evropian ta rikthejnë në agjendë çështjen e Kosovës. I kam nxitur ata që ta bëjnë këtë. Unë i mbetem qëndrimit që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e vendosura nga BE-ja për liberalizimin e vizave dhe sërish Këshilli ka refuzuar të veprojë. Siç thashë edhe më parë, unë shpresoj që gjatë presidencës finlandeze, liberalizimi i vizave do të vendoset sërish në tavolinë.

FaktePlus: Dihet që pesë shtete të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur ende shtetin e Kosovës. A vazhdojnë të paraqesin problem në këtë drejtim?

Fajon: Shpresoj që shtetet, të cilat nuk e njohin Kosovën, nuk e shohin njohjen dhe liberalizimin e vizave si të njëjtën gjë. Ne dhe të gjitha institucionet e BE-së nuk e shohim këtë çështje në atë mënyrë. Mund t’ju kujtoj se BE ka hequr vizat për Tajvanin edhe pse nuk po e njeh shtetin. Heqja e vizave është e rëndësishme për njerëzit e thjeshtë në Kosovë dhe nuk duhet të shihet si çështje politike. Në këtë rast, nuk është e justifikueshme për askënd që ta sheh këtë si një problem.

FaktePlus: Cila është thirrja juaj për këto pesë vende në lidhje me liberalizimin e vizave?

Fajon: Thirrja ime do të ishte, jo vetëm për këto pesë vende, por edhe për tërë Bashkimin Evropian, që Kosova ka përmbushur ato çka ne kemi kërkuar prej tyre. Tani është radha jonë për të vepruar dhe është e nevojshme që Bashkimi Evropian të kryejë pjesën e tij të premtimit.  Ne në Parlamentin Evropian dhe si Socialdemokrat kemi pasur shumë dështime në raport me Ballkanin Perëndimor. Është koha që edhe ne të bëjmë diçka.

Por thirrja ime u shkon gjithashtu të gjithë përgjegjësve në Kosovë. Ne kemi nevojë për bashkëpunimin tuaj, zbatimi i të gjitha kritereve të nevojshme për regjimin pa viza është me rëndësi të madhe. Puna duhet të vazhdojë!

10/31/2019 12:41

Fajon në Beograd: Jemi shumë të zhgënjyer, dialogu duhet të rifillojë