Lajme

LIBE heq nga rendi i ditës raportin për Kosovën, shteti optimist për viza

07/11/2018 20:04
nga:M H

Komisioni Evropian po vazhdon të zvarrit publikimin e raportit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, ndonëse publikimi i këtij raporti ishte paraparë që të ndodhë në muajin qershor.

Megjithatë drejtues të shtetit, janë në pritje që ky raport të publikohet gjatë ditëve në vazhdim.

Dhurata Hoxha, ministre e Integrimeve Europiane është deklaruar për “Gazeta Blic”, rreth asaj që Komisioni për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Punë të Brendshme (LIBE) i Parlamentit Evropian, ka larguar nga rendi i ditës, këtë raport për Kosovën, më saktësisht, rreth deklaratës së Artan Muratit nga Instituti Demokratik i Kosovës, i cili kishte njoftuar se raporti është larguar nga rendi i ditës nga LIBE.

“E vlerësoj qëndrimin e njohësve të çështjeve integruese, por, dua të ritheksoj se rendi i ditës, për komisionet është çështje interne, në këtë rast komisioni LIBE është hapi i dytë ne procesin e liberalizimit, andaj as nuk e lidhi me arritshmërinë e suksesit tonë për marrjen e rekomandimit pozitiv. Pra, hapi i parë që hap rrugën për hapat tjerë te procesit vendimmarrës është rekomandimi nga Komisioni Evropian, që është një institucion krejt tjetër nga komisioni LIBE i cili komision është në kuadër të Parlamentit Evropian”, sqaroi Hoxha.

Tutje, Hoxha ritheksoi edhe një herë, se tashmë të gjitha kushtet e parapara janë plotësuar, dhe që presin që  raporti të jetë pozitiv.

“Të gjitha kushtet e parapara me udhërrëfyesin për liberalizim i kemi plotësuar, të gjitha, ani pse i kishim për nga sasia shumë më të mëdha se fqinjët tanë në rajon. Pres vlerësim objektiv të të arriturave tona për të marrë rekomandimin pozitiv për lëvizjen e lirë, këtë e kanë konfirmuar edhe zyrtarët në Bruksel edhe personalitetet e larta të ngarkuara me këtë proces, siç ishte deklarata e fundit nga Komisionari Hahn i cili theksoi se rekomandimi do te del para pushimeve te verës, si dhe procesi i liberalizimit do të përmbyllet shumë shpejt”, përfundoi ajo.

Më poshtë e gjeni shkrimi e plotë të analistit Artan Muratit, rreth heqjes së raportit për Kosovën.

“Komisioni Evropian është vonuar me raportin vlerësues lidhur me përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave për Kosovën, sepse ky raport ka qenë i paraparë të publikohet në fund të muajit qershor.Në pritje të njoftimit nga Komisioni Evropian për përmbushjen e kriterit të fundit në procesin e liberalizimit të vizave, Komisioni për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Punë të Brendshme (LIBE) i Parlamentit Evropian e kishte vënë në rend të ditës votimin për këtë raport për datën 10 korrik.Mirëpo, LIBE tanimë ka hequr këtë pikë nga rendi i ditës, pasi nuk ka ardhur ende njoftimi nga Komisioni Evropian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.

Pra, tani Kosova gjindet në një situatë që edhe nëse marrim një raport pozitiv nga Komisioni Evropian, megjithatë nuk është e sigurt se vizat mund të hiqen këtë vit, për shkak të procedurave vendimmarrëse në BE”, ka shkruar Murati në “Facebook”.

Që liberalizimi i vizave do të ndodhë gjatë këtij viti, janë shprehur të bindur të gjithë liderët kosovarë./Gazeta Blic./