Opinion

Lëvizja e kufijve

09/03/2018 18:42
nga:Ilir Gashi

Kosova, është në fazën finale të dialogut me Serbinë. Ky dialog, është duke u mbështetur nga të gjitha qarqet ndërkombëtare nën drejtimin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federika Mogherini.

Duhet ditur një fakt, deri më sot, asnjë marrëveshje nuk është arritur e as diskutuar pa praninë paraprake të SHBA-ve. Kryesisht, këtë dialog e ka udhëhequr Presidenti Thaçi, qoftë në cilësinë e kryeministrit qoftë në cilësinë e presidentit, përjashto rastin e asociacionit të cilin, e ka nënshkruar ish Kryeministri, Isa Mustafa!

Presidenti Thaçi, në fakt cilësohet jo vetëm nga vendorët por edhe nga të huajt si njeri dhe figurë politike që posedon afinitet të lartë dhe të përmasave ndërkombëtare në dialog. Tani, kur jemi në fazën e fundit të bisedimeve me Beogradin, Presidenti Thaçi, ka propozuar modelin e « korrigjimit të kufijve » si mënyrë e zgjidhjes së problemeve mes dy vendeve. Propozimi së bashku me shpjegimet e bëra nga z. Thaçi, nuk lënë asnjë dyshim kundrejt faktit se nuk bëhet fjalë për ndarje, as për shkëmbim të territoreve por bëhet fjalë për korrigjim të tyre me mundësitë që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës.

Është interesant fakti se, kundërshtarët e z. Thaçi, në të kaluarën e afërt e akuzonin jashtëzakonisht shumë atë se, “asnjëherë nuk ka biseduar për të drejtat e shqiptarëve në Kosovën Lindore”, apo siç i referohet Vetëvendosja në Serbinë Jugore. Hedhja e topit në opinion nga Presidenti Thaçi, me kërkesë maksimaliste se Lugina duhet të hyjë brenda kufijve shtetëror të Republikës së Kosovës, e ka rikthyer vëmendjen e diplomacisë botërore si asnjëherë pas vitit 1999 në relacionin Prishtinë – Beograd. Paradoksialisht, e ka rikthyer edhe vëmendjen e zërave pa vizion brenda Kosovës në këtë relacion. E them paradoksialisht sepse, këta zëra në vend se të unifikoheshin ose të ndihmonin rreth dialogut, po e sabotojnë atë !

Çka u trumbetuar gjatë këtyre ditëve rreth kufijve ? E para, opozita e cila akuzonte Thaçin se s’po flet për shqiptaret në Luginë, tani po tenton të organizoj protesta që të mos flitet për shqiptarët në Luginë! « Ndarjen e Kosovës », e kanë ngritur si dilemë, pa pasur asnjë informacion rreth të vërtetës.

Korrigjimi i kufirit si çështje për dialog që është ngritur nga Presidenti Thaçi, ka si synim betonimin e qëndrimit ndërkombëtar rreth sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës nëse nuk lejohet që Presheva të kaloj nën juridiksionin e Republikës së Kosovës, nga frika e efektit domonio në Ballkan. Pra, ky vizion ka arritur në pikën e ndjeshme të kundërshtimit të lëvizjes së kufijve, e kjo nënkupton edhe qëndrim ndaj integritetit dhe sovranitet të Republikës nga qarqet me ndikim perëndimorë dhe evropian.

Në këtë rast, Presidenti Thaçi, e ka lehtësuar tavolinën e bisedimeve duke arritur qëllimin në disa drejtime: E para, që nëse jo lëvizje të kufijve, atëherë duhet të ruhet sistemi unitar i vendit sepse, shteti nuk duhet të bëhet jo funksional me kërkesa që cënojnë sistemin politik dhe juridik të Kosovës.

Dy, nëse shqiptaret e Luginës nuk kanë të drejtë t’i bashkohen Kosovës, duhet të kenë të drejta të njëjta si serbët në Kosovë. Tre, ka arritur t’i nxjerrë nga strofulli një grumbull falsifikatorësh dhe një grumbull patriotësh që fshihen prej kohësh në strehën e horrave !

Mbase, koha do të tregojë se sa shumë horra, qysh prej moti, fshihen nën këtë strehë!

02/09/2018 14:43

Zgjedhjet e reja po afrohen?!