Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për letrën të cilën ia ka dërguar Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.
Në një postim në Twitter, Kurti ka thënë se mirëpret letrën nga Blinken në të cilën sipas tij shpaloset edhe njëherë mbështetja e tij për prioritetet në vende të reja pune dhe drejtësi.
“Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e SHBA-ve për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi përmes një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me në qendër njohjen reciproke”, ka shkruar kryeministri Kurti në Twitter.
Në letrën drejtuar kryeministrit Kurti, Sekretari Blinken ka thënë se Shtetet e Bashkuara, shpresojnë në lidershipin personal për rikthimin e momentumit në procesin e dialogut duke i mbështetur zotimet paraprake të Kosovës, pastaj duke e nxitur transparencën, duke i shmangur veprimet apo retorikën që mund t’i rrisë tensionet dhe duke u angazhuar në negociata me fokusin, kreativitetin dhe urgjencën e kërkuar.
“Ju inkurajoj që t’i kushtoni vëmendje arritjes së marrëveshjes për energji elektrike në veriun e Kosovës dhe për avancimin e qëllimeve të përbashkëta në lidhje me personat e pagjetur. Është në interes të Kosovës që këto çështje të zgjidhen dhe të çojnë drejt një zgjidhjeje kompromisi në planin afatshkurtër, e që të mund të shërbejnë si bazë për progresin e mëtejshëm drejt normalizimit gjithëpërfshirës”, ka shkruar z. Blinken.
Mbështetja e vendimeve gjyqësore, në veçanti vendimeve që ndërlidhen me të drejtat e minoriteteve, do të kishte efekt të ngjashëm pozitiv dhe është në harmoni me prioritetet e qeverisë tuaj për fuqizimin e sundimit të ligjit, ka shtuar ai.
“Ju lutemi të punoni ngushtë me Ambasadorin Hovenier dhe Përfaqësuesin Special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sepse të dy janë plotësisht të autorizuar për t’i adresuar këto çështje me ju. Të dy janë të përgatitur për t’i diskutuar specifikat me ju dhe ekipin tuaj. Jemi të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën për t’i arritur qëllimet e përbashkëta”, ka përmbyllur letrën dërguar kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Sekretari i shtetit i SHBA-së, Antony S. Blinken.
I welcome @SecBlinken’s letter and his support for our priorities on Jobs & Justice. Kosova is grateful for ?? commitment in normalizing relations between Kosova & Serbia through a legally binding agreement centered on mutual recognition.
I look forward to working together. pic.twitter.com/TSeWXOUPgS
— Albin Kurti (@albinkurti) January 13, 2022