Opinion

Letër publike Vjosa Osmanit-kandidate e LDK-së për Kryeministre

08/27/2019 17:16
nga:Agon Zhinipotoku

Agon Zhinipotoku

Shoqja ime Vjosa, po të drejtohem kështu ngaqë njihemi moti kohë, kandidimi juaj na ka gëzuar pa masë, sepse ka vite që e kërkojmë një gjë të tillë, si e vetmja shpresë për këndelljen e LDK-së dhe vendosjen e saj aty ku e ka vendin si partia e parë në nivel vendi.

Kandidimi yt i ka dhënë shpresë këtij vendi që për herë të parë mund të qeveriset nga një grua, që ka dëshmuar kurajo, guxim dhe lidership në vazhdimësi.

Jam në përfundim të studimeve Master-Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, një zyrtar komunal që një dekadë, një biznesmen i ri e begi i suksesshëm, një humanist i ri, një vullnetar rinor kudo që kanë nevojë, së fundmi jam edhe drejtor i një klubi të famshëm të qytetit tonë, kryetar i nëndegës së LDK-së në fshatin Cërnillë, një fshat që i ka dhënë shumë LDK-së që prej themelimit të saj, ish-kandidat për asamble komunale në zgjedhjet e fundit 2017. Në të gjitha zgjedhjet ne kemi dalë fitues qoftë pozitë apo opozitë si nëndegë që funksionojmë.

Një ditë pas nominimit tuaj, marrë guximin të ju shkruaj publikisht lidhur me shqetësimin tonë që e kemi në degën e LDK-së në Ferizaj. Dega jonë pas një procesi jotransparent, kamuflues, jostatutor ka zgjedhur një kryesi dhe një kryetar nën presionin e vazhdueshëm të delegatëve, duke u munduar t’i joshin në të gjitha mënyrat për t’ua marrë votën, një kuvend që ishte i ngulfatur debati e që rregullat e lojës ishin caktuar shumë më herët, një kuvend që pati sigurim nga jashtë qytetit tonë për të mbajtur gjendjen nën kontroll, thjesht një kuvend që i ka më së paku hije LDK-së si partia e parë demokratike në Evropën Juglindore.

Sa për dijeninë tuaj, këto vota që i ka dega e LDK-së në Ferizaj për Këshillin e Përgjithshëm ishin të gatuara për Agim Veliun, delegatët premtonin votën për Muharrem Svarqën për kryetar dege dhe Agim Veliun kryetar në ardhje i LDK-së. Thjesht Lufti Zharku për një muaj gati se na u bë “ferizajli”, aktiv kudo, madje thirrej si i autorizuar nga qendra për monitorim të procesit zgjedhor.

E nderuara znj. Osmani, ka shumë kuvende që janë mbajtur me nxitim, në trafika, në restorante të fshehta, disa edhe nën dritën e qirinjëve, me qëllim që vetëm e vetëm të përfundoj procesi dhe të fitojnë ata që ju duhen atyre (Lexo: tri nëndegë: Nerodime e Poshtme, Nerodime e Epërme dhe Dremjak më shumë ka pasur simpatizantë të PDK-së se sa tanët). Nuk ka pasur një orar se kur do të mbahen zgjedhjet nëpër nëndegë, kjo tregon qartë transparencën e këtyre zgjedhjeve të këtij kuvendi të fundit.Tendenca të shumta që mos të njihen kuvendet e mbajtura, sepse ishin të krahut tuaj qartazi. U hasmuam aq shumë ndërmjet vete, sa që thuajse po na përsëritej historia e para më shumë se një dekade. Si pasojë e kësaj, një djal i ri përkrahës i juaji gati sa nuk e humbi të pamurit në njërin sy nga rrahjet e shumta që mori në Kuvendin e Koshares.

Tanimë, kemi një fakt të pamohueshëm: dega jonë ka eliminuar thuajse 80% të themeluesve të saj, për hir të korrektësisë do t’i numëroj disa nga figurat kyçe: Sahit Krasniqi, ish-deputet, ish-zv/ministër, ish-kryeshef ekzekutiv dhe në të trija pozitat nuk ju është lakuar emri asnjëherë për korrupcion, së paku kështu flet qyteti; Milazim Haliti, ish-deputet në tri legjislatura (nëse nuk gaboj), udhëheqës i Këshillit të Financimit, themelues i LDK-së, anëtar kryesie e kryetar i nëndegës më të madhe të LDK-së; Faik Grainca, ish-kryetar i komunës së Ferizajt, kryetar i LDK-së e nënkryetar për disa vite; Faruk Guri, nënkryetar i LDK-së, anëtar kryesie që nga themelimi, asambleist në shumë mandate e së fundmi Kryesues i Kuvendit Komunal të Ferizajt për 4 vite sa qeveriste LDK-ja, Hesat Shatrolli-asambleist për shumë mandate mbi 400 vota së fundmi, doktor me nam në qytetin tonë, njeri i respektuar nga të gjitha partitë; Ekrem Mustafa-biznesmen, asambleist me afro 600 vota, drejtor në një ndërmarrje publike dhe pa asnjë aferë, ish-kryetar i klubit të futbollit KF “Ferizaj”, kryetar i nëndegës së dytë e herë nëndega e parë për nga numri i votave që merr LDK-ja tek ne; Balton Dërguti-asambleist me mbi 600 vota, zëdhënës i degës për disa vite, shef i kabinetit të kryetarit për katër vite, Muhamet Çerkini-sekretar e anëtar kryesie prej themelimit thuajse, së fundmi ishte shef i grupit parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Komunës së Ferizajt, Shkëlzen Selmani ish-kryetar i Forumit Rinor për dy mandate, asambleist qe dy mandate, shumë figura tjera të respektuara në qytetin tonë dhe që e kanë mbajtur gjallë partinë në kushtet më të vështira. Kjo është gjendja faktike, besoj e din mirë dhe je e njoftuar.

Tani, unë dhe shumë të tjerë në Ferizaj kemi qenë dhe jemi përkrahës tuaj, kam qenë delegat në kuvendin e degës, delegat në Kuvendin e Përgjithshëm, madje ma kanë hequr një delegatë në nëndegën time nga dy në një delegat, çfarë shantazhi është ushtruar për të mos votuar ty qoftë në zgjedhje, qoftë në Këshill të Përgjithshëm ju nuk mund ta imagjinoni një gjë të tillë të ndodhë në LDK-në e Dr. Ibrahim Rugovës (për këtë kemi fakte, sms, thirrje telefonike në mesnatë etj) të tipit “Ju nuk guxoni me votu Vjosën edhe pikë”, madje haptazi edhe në mbledhje të delegatëve të degës sonë në restaurant “Movenpik” kryetari i degës Muharrem Svarqa na ka kërkuar me rend të flasim se kënd e votojmë nesër: Akademik Isa Mustafën apo Vjosa Osmanin? Kjo dihet botërisht, janë dëshmitar 26 delegatë gjithsejt që ishin të pranishëm.

E nderuara Kryeministre e ardhshme e Republikës së Kosovës, tanimë ju thërras publikisht që vizitën tuaj të parë ta bëni në Ferizaj, të njiheni më afër me gjendjen katastrofale që kemi në degën tonë, ky gjysma e degës është përjashtuar nga kryesia e degës, tanimë kemi një kryesi të re të degës, e cila është për ta vajtuar më mindil në çfarë gjendje kemi rënë, ajo kishte më qenë mirë të ishte kryesi e një nëndege, ama kryesi e degës kurrsesi, njerëz të padëshmuar, të ri politikisht, të ardhur qe një vit ose dy në LDK, disa morën vendin në kryesi se e mbajtën mirë të informuar kryetarin e tanishëm me llafbajtje andej e këndej, disa anëtar të kryesisë mezi e kanë gjetur zyrën, janë joprofesionist dhe kanë krijuar tepër përqarje në shumë procese zgjedhore që kemi pasur.
Unë shkaku që të kam përkrahur publikisht, më ka kushtuar me eliminim nga të gjitha strukturat të degës, vetëm në nëndegën time nuk kanë mundur të më shkarkojnë, se edhe atë do e bënin të jesh e bindur.

Nëse nuk e shfrytëzon tani autoritetin tuaj, pas një muaji do të jetë vonë, këmbanat e alarmit po bien e më së shumti do të ketë pasoja LDK-ja, shtëpia jonë e përbashkët.
Mos i besoni një kryetari të degës, që në mëngjes e përkrahë Isa Mustafën, rrugës për Prishtinë bëhet me Agim Veliun, e pasdite del përkrahës i juaji, madje publikon foto që të përfitoj në kurriz tuajin vota, tanimë ne e njohim fare mirë një të tillë dhe si të tillë po jua prezantojmë haptazi juve.
Miqësisht,

Agon Zhinipotoku,

Kryetar i Nëndegës së LDK-së në Cërnillë,
27 gusht 2019-Ferizaj!.