Opinion

Letër e Hapur Gjykatësit Beqir Kalludra

12/28/2017 06:24
nga:Uk Lushi

I nderuar Gjykatës Kalludra,

përderisa jemi vetëm dy-tri ditë larg ndërrimit të motmoteve, në radhë të parë dua t’ju shpreh dëshirat e mia më të mira për Vitin e Ri 2018. Mund ta marr me mend sa të bukura do të jenë e kremtja dhe dhuratat që do të shkëmbeni me familjarët dhe shokët tuaj. Por këtë mundësi festimi dhe gëzimi, për shkak të vendimit tuaj t’i mbani në paraburgim për një rast diskutabil, nuk do ta kenë Donika Kadaj-Bujupi dhe Albin Kurti, dy prindër si ju dhe përfaqësuesë kuvendorë të popullit të Kosovës.

I nderuar Gjykatës,

që të zhduk çfarëdo tisi paragjykimi, para se të rreshtoj mendimet dhe argumentet e mia lidhur me mosarsyen e mbajtjes në burg, që unë e cilësoj si të padrejtë, të zonjës Kadaj-Bujupi dhe zotit Kurti, me krenari deklaroj respektin tim më të lartë për gjyqtarët dhe pohoj rëndësinë e gjyqësisë në shoqëri dhe shtet.

Poashtu, lejomëni t’ju informoj, që, nuk jam anëtar i organizatës Lëvizja Vetëvendosje, në dhe përmes së cilës veprojnë si aktivistë politikë të dy të burgosurit tuaj.

E them pa mëdyshje, po të kisha qenë unë në vendin e tyre dhe deputetëve të opozitës në Kuvendin e Kosovës në vitet 2015-16, nuk do të kisha hedhur gaz lotësjellës si mjet politik. Mirëpo ky vlerësim imi nuk mundet ta delegjitmizojë ose gjykojë të drejtën e përdorimit të një metode politike— të pakëndshme por të tolerueshme— nga persona gjegjësisht subjekte politike. Ç’ është më me rëndësi, legjitimitetin e një veprimi politik nuk mund ta gjykoni as ju dhe asnjë gjykatës legal askund në botë. Gjykatësi i vetëm që duhet dhe mund të jep verdikte për sjellje politike është sovrani.

Gjykatës Kalludra, 

simbas mendimit tim, gabimin e parë formal ju dhe Gjykata Themelore e Prishtinës e keni bërë duke pranuar që ju të jeni gjyqtar i rastit lidhur me hedhjen e lotësjellësit në ambientet e Kuvendit ndërsa ju keni mbikëqyrë gjykimin dhe marrë vendim për dënimin me 21 vjet dhe gjashtë muaj burg për tre aktivistë dhe një deputet  të VV-së për sulm kundër ndërtesës së Kuvendit. Nëse nuk jam gabim, Gjykata Themelore e Prishtinës ka 65 gjyqtarë tjerë dhe mosmarrja juaj me rastin e lotësjellës-gjuajtësve do të kishte vrarë dyshimet për konflikt interesi, ndërkaq që do të ishte mundësuar detashmenti minimal juridik.

Po përmend këtë lëshim (të rëndë) procedural sepse ju po mbani në burg Kadaj-Bujupin dhe Kurtin pikërisht duke përdoruar rregullat procedurale të ndëshkimit për personat që nuk u përgjigjen thirrjeve dhe urdhërave gjyqësorë.

Sido që të jetë, para se të paraqes mendimet dhe argumentet e mia pse krejt rasti është i pagjykueshëm dhe një parodi juridike, le të supozojmë për një çast, që, proceduralisht, ju po zbatoni ligjin dhe keni dashur të jepni një leksion për mosrespektimin e gjykatës dhe thirrjeve të saj nga ana e Kadaj-Bujupit dhe Kurtit.

Dy të pandehurit janë në burg më shumë se një muaj tashmë dhe vazhdimi i paraburgimit për deputetët është masë disproporcionale për një shkelje joserioze. Paramendoni nëse një qytetar do të dënohej me 100 vjet burgim për një kundërvajtje komunikacioni. Dënimi i shpërpjestueshëm dhe përdorimi arbitrar i fuqisë suaj si gjykatës, kontribon vetëm në zbehjen e besimit qytetar në paanësinë e nevojshme të drejtësisë dhe nuk sjell asnjë të mirë juridike dhe as shoqërore.

I nderuar Gjykatës Kalludra,

zonja Kadaj-Bujupi dhe zoti Kurti duhet të lirohen sa më parë nga ju, nëse ende jo për mungesë meritash juridike të akuzave kundër tyre dhe bashkëkomplotistëve nga VV-ja, AAK-ja dhe Nisma, për të cilat gjithmonë ekziston opcioni të testohen në gjykim, atëherë, gjithësesi, për arsye trajtimi të barabartë për Kadaj-Bujupin dhe Kurtin që të kenë të drejtën të mbrohen në liri si 27-28 pjesëmarrësit tjerë në vepër, qofshin kryesë të akuzës së aluduar respektivisht fajtorë, qofshin aksesorë në komplot respektivisht bashkëfajtorë.

Gjykatës Kalludra,

njëri nga pjesëmarrësit e atëbotshëm të ndërmarrjes, sipas jush, penale, zoti Ramush Haradinaj, sot, është kryeministër i Republikës. A do të gjykoni, ju apo Departmenti për Krime të Rënda, i nderuar ndarës i drejtësisë, edhe kryeministrin Haradinaj apo zv.kryeministrin Fatmir Limaj? Po ministrin Pal Lekaj? Po 25 ish- apo deputetët aktualë që ishin pjesë e gaz-hedhjes?

Që një akt të konsiderohet penal (actus reus), zakonisht, doemos, duhet të shoqërohet me një motiv apo qëllim kriminal (mens rea). Ndonëse çdo krim është shkelje ligji, jo çdo shkelje ligji është krim. Në aktet politike të hedhjes së gazit në parlament nuk ka motive dhe interesa kriminale. Më e shumta që mund të kërkohet juridikisht në këtë lëndë është zhdëmtim civil nga të pranishmit në sallën e mbledhjeve, por dhe kjo është shumë vështirë e realizueshme.

Deputetët opozitarë në vitet 2015 dhe 2016, gjatë hedhjes së gazit, kanë vepruar politikisht dhe bile me 23 dhjetor 2015 kanë marrë përligjje të fuqishme juridike dhe kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila, në aktgjykimin e saj, ka konstatuar 24 shkelje ose mospërputhje kushtetuese në draftet dhe dokumentet e projektit për Bashkësinë së Komunave të Kosovës me popullatë etnike shumicë serbe, e cila ka qenë një ndër dy arsyet e këmbënguljes kundërshtuese të opozitës dhe ndezjes së boçave të lotësjelluesit në Kuvend.

Pra, janë dy rrafshe ku ju nuk mund operoni si gjykatës; ai politik dhe ai kushtetues, dhe sëkëndejmi, nuk ka asnjë logjikë të vazhdohet procesi për lotësjellësin. Në të vërtetë, procedimi i mëtutjeshëm u fut ju personalisht në ujëra të kalimit të kompetencave tuaja kurse Gjykatën Themelore në terrirorin e tejkalimit të fuqive juridike dhe juridiksionale. Për më keq, marrja juaj dhe sistemit të drejtësisë me rastin rrezikon të ndikojë në proceset politike dhe partiake dhe kështu, ju dhe gjykata, nga gardianë të interesit kolektiv shndërroheni në influencuesë dhe përcaktuesëë të zhvillimeve politike dhe partiake, sidomos marrë parasysh sitauatën e rëndë që e pret Kosovën 18-36 muajt e ardhshëm dhe pas shpalljes së zotit Kurti se do të garojë për (ri)zgjedhje si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

I nderuar Gjykatës Kalludra,

shteti ynë është krijuar me sakrifica të mëdha, pas vuajtjes së mijëra vjet burg të qytetarëve të Kosovës të kaluara në kazamatet e pushtuesit tonë ish-Jugosllavisë. Ne të gjithë e kemi bërë shtetin që ai të jetë mbrojtësi dhe trajtuesi fer dhe i drejtë për të gjithë, si ata që mendojnë dhe operojnë politikisht si ne, si ata që përdorin mendime dhe veprime të ndryshme nga tonat. Sigurisht që legaliteti i ligjit duhet respektuar dhe kur nuk respektohet ndëshkimet përkatëse duhet aplikuar, porse në rastin e lotësjellësit ju keni dalur jashtë konturave. Nëse dikush nga politika apo segmente të errëta ju ndikon apo u bën trysni, ju duhet të flisni publikisht, dhe, asessi s’ duhet të pranoni të përkulni kurrizin sepse kurrizi i përkulur i gjykatësve është fillimi i rrëshqitjes drejt vdekjes i çdo shoqërie, shteti dhe populli. Drejtësia jonë ka të bëjë aq shumë punë me rastet e të miturve, dhunës në familje, korrupsionit dhe vrasjeve. Përqendrohuni atje— ju dhe gjykatat tona.

I nderuar Gjykatës Beqir Kalludra,

ju lutem merrni parasysh mendimet dhe argumentet e mësipërme nga një qytetar i Republikës se Kosovës dhe duke përdorur edhe ndjeshmërinë njerëzore, një komponentë e gjyqtarisë prej kohëve më të lashta, lironi nga paraburgimi dhe burgu bashkëqytetarët tonë, Donika Kada-Bujupi dhe Albin Kurti.  Ju siguroj që votuesit janë dhe do të jenë gjykatësit më të mirë të mundshëm për politikanët, si për t’i dënuar si për t’i shpërblyer. Na lejoni ne të vendosim për përfaqësuesit tonë.

I nderuar Gjykatës Kalludra,

shpresoj që do të veproni para natës madhështore të motmotndërrimit dhe zonja Kadaj-Bujupi dhe zoti Kurti do të mund të kalojnë, si ju, festimin e ardhjes së Vitit të Ri bashkë me fëmijët e tyre, familjet dhe miqtë e tyre.

Sinqerisht i juaji,
Uk Lushi

 

02/23/2018 15:59

Uk Lushi ka një porosi për LDK-në në lidhje me demarkacionin!