Cult

Leonardo DiCaprio i shkruan letër Joe Bidenit

01/26/2021 15:59
nga:Flutura Gashi

Aktori i njohur Hollivudian, Leonardo DiCaprio, i njohur për aktivizmin e tij rreth ndryshimeve klimatike, ka shkruar së fundmi një letër të përzemërt për Presidentin Joe Biden, duke e kërkuar atë të trajtojë menjëherë krizën e klimës me politika të reja të guximshme.

Javën e kaluar, Presidenti Biden referoi Shtetet e Bashkuara në Marrëveshjen e Parisit – një pakt ndërkombëtar i vendosur për të trajtuar krizën e klimës. Nderkaq në vitin 2017, Donald Trump ishte ai që tërhoqi Amerikën nga kjo marrëveshja, raporton GazetaBlic.

“Tani është koha për ne që të ballafaqohemi me krizën klimatike”, ka shkruar DiCaprio në llogarinë e tij në rrjetin social Instagram. “Sot, unë bashkohem me udhëheqësit botërorë nga biznesi, qeveria, puna dhe lëvizja mjedisore, duke i bërë thirrje Presidentit @JoeBiden të jetë udhëheqësi i klimës që na duhet dhe që e kërkon shkenca,” shtoi ai.

Në këtë postim, DiCaprio e bashkëngjiti letrën e tij drejtuar presidentit Biden, e cila u nënshkrua nga figura të shquara të industrisë së showbizit, klimës dhe shkencës.

“Punët që na presin janë të mëdha: nevoja për ta trajtuar krizën shkatërruese globale të shëndetit dhe krizat ekonomike, dhe nevoja për të bashkuar amerikanët për ta bërë këtë, është urgjente”, shkruhej në këtë letër. “Ndërsa shërohemi nga Covid-19 dhe rindërtojmë ekonominë globale, duhet të veprojmë edhe ndaj ndryshimeve klimatike. Në fakt, këto nuk janë misione të ndara; ato janë një dhe e njëjta. Kjo është dekada më vendimtare në historinë njerëzore për t’u përballur me krizën e klimës. Ju mund të kujtoheni si ‘presidenti i klimës’ që e çoi njerëzimin larg shkatërrimit. Ju mund t’i transformoni sistemet e energjisë në botë nga lëndët djegëse fosile në energji të pastër, ndërsa gjithashtu krijoni një bollëk të vendeve të punës, duke zvogëluar ndotjen e dëmshme dhe duke trajtuar pabarazinë ekonomike, racore dhe shëndetësore në proces. Zgjedhja për të bërë udhëheqje të guximshme na lejon të rikthehemi më mirë dhe më fuqishëm, duke ecur përpara drejt një bote të re të cilën mund të krijojmë së bashku. Duke u ribashkuar me Marrëveshjen e Parisit në ditën e parë të detyrës si president, ju i keni kthyer Shtetet e Bashkuara në drejtimin e duhur. Por, siç e keni deklaruar edhe ju, kjo nuk është e mjaftueshme dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta luftuar krizën klimatike”, ka përfunduar DiCaprio.

Ylli i kinematografisë viteve të fundit i ka kushtuar kohën e tij problemeve lidhur me ndryshimet klimatike. Ai gjithashtu ka themeluar një fondacion në vitin 1998 me qëllimin për “t’i mbrojtur vendet e fundit të egra të botës”

Në 2019, DiCaprio takoi aktivisten e njohur adoleshente Greta Thunberg, duke ju drejtuar asaj si ‘udhëheqësja e kohës tonë’.

“Historia do na gjykoj për atë që bëjmë sot për të garantuar që gjeneratat e ardhshme të mund ta shijojnë të njëjtin planet të jetueshëm të cilin ne e kemi marrë të mirëqenë. Shpresoj që mesazhi i Gretës të jetë një thirrje zgjimi për udhëheqësit botërorë kudo, që koha për mosveprim ka mbaruar”, kishte deklaruar aktori i njohur hollywoodian.

/GazetaBlic/.