Lajme

LDK: Përpjekja për përmbysje të rezultatit zgjedhor në Dragash nga kutitë e votimit në tavolinë është e papranueshme dhe antidemokratike

11/20/2021 18:14
nga:Gazeta Blic

Gjatë konferencën së sotme për media të Lidhjes Demokratike të Kosovës, zëdhënësja politike, Sibel Halimi, ndër të tjera ka thënë se, kjo çka ka ndodhur në Dragash, është përpjekje antidemokratike për përmbysje të rezultatit zgjedhor nga kutitë e votimit në tavolinë.

“Dje, në një vendim të paprecedentë për demokracinë dhe sistemin zgjedhor të Kosovës, tre gjyqtarë të PZAP-së kanë anuluar të gjitha votat e mërgatës – të gjitha pa përjashtim – pa kontaktuar, pa verifikuar e pa kërkuar të vërtetën në Dragash. Kujtojmë se të gjitha këto vota ishin marrë parasysh dhe ishin bërë pjesë e certifikimit të rezultateve të raundit të parë nga KQZ. Ato ishin verifikuar, hapur, numëruar e pranuar si të rregullta nga KQZ edhe në raundin e dytë. Provimi i anulimit të tyre është përpjekje antidemokratike për përmbysje të rezultatit zgjedhor nga kutitë e votimit në tavolinë”, ka thënë Halimi.

Më tej, Halimi, ka theksuar se LDK, ka dorëzuar mbi 200 dëshmi të votuesve të Dragashit në mërgatë, për votat e tyre në raund të dytë si dhe gjithë dosjen e argumenteve për mbrojtjen e rezultatit zgjedhor e vullnetit qytetar.

Po ashtu, Halimi potencoi faktin se LDK ka dërguar ankesë në Gjykatën Supreme rreth kësaj çështje, me ç’rast shprehu bindjen se sistemi zgjedhor në Kosovë do të mbrohet nga kjo gjykatë.

Me këtë rast, ajo theksoi se, veprimin e tre gjyqtarëve të PZAP-së do ta adresojnë edhe tek misionet ndërkombëtare për monitorim të zgjedhjeve, ngaqë, sipas saj ky është sulm i paprecedentë ndaj një standardi të lartë të demokracisë të vendosur tashmë në vend.