Lajme

LDK për Malokun: Qëllimi i vrasjes dihet, donin ta shuanin lirinë

01/11/2019 12:13
nga:Q F

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot Akademi Përkujtimore me rastin e 20 vjetorit të vrasjes së publicistit, Enver Malokut.

Në nder të veprës së tij, pjesë e kësaj akademie ishin përfaqësues të LDK-së dhe familjarë të cilët kërkuan zbardhjen e vrasjes së tij.

Agim Veliu, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka kërkuar drejtësi për vrasjen e tij, e po ashtu zbardhjen e këtij rasti.

”Në emër të kryetarit, ju falënderoj në këtë tubim përkujtimor në rastin e 20 vjetorit të filozofit, publicistit dhe krahut të djathtë të presidentit tonë, Ibrahim Rugova. Rugova ia besoi sektorin e informimit Enverit. Ai së bashku me disa gazetarë, hapen Qendrën e Informimit të Kosovës. QIK-u është cituar qindra herë nga mediat botërore. Qëllimi i vrasjes dihet, kishte të bënte me shuarjen e lirisë”, ka shtuar Veliu.

Me një minutë heshtje e filloi fjalimin e tij edhe akademiku, Sabri Hamiti.

Ai tha se për 20 vjet ka qenë ndër publicistët më të njohur të Kosovës, duke theksuar se nga publicist ka kaluar në gazetarinë e rezistencës.

”Është thënë edhe më herët që Enver Maloku është bërë shkrimtari kryesor në Kosovë. Kështu e larësoij stilin e vet, dhe peshën e fjalës në veprim. Për një decenie u bë kronikani më i rëndësishëm. Ai ishte i admiruar por edhe i kundërshtuar nga kundërshtarët e filozofisë”, tha Hamiti.

Ai tha se në kohën kur u vra Enver Maloku, para derës dhe para familjarëve të tij, edhe vet Hamiti ishte i shtrirë duke u ballafaquar me atentatorin.

”Thuhet se veprimi nuk vjetrohet, por nëse nuk gjykohet rinohet. Krimi nuk mund të gjykohet nëse nuk ka institucione të pavarura. Kujtimi i Enver Malokut është i përjetshëm. Libri i tij dhe i Xhemail Mustafës, ”Një lutje për Prishtinën”, janë dëshmi e dramës së Kosovës”, ka shtuar Hamiti.