Lajme

“LDK e zuri në befasi Vetëvendosjen”

12/12/2019 00:09
nga:Gazeta Blic

Analisti politik Vigan Qorrolli ka thënë se pengesat që nuk po lejojnë marrëveshjen mes Vetëvendosjes e LDK-së për koalicionin qeverisës lidhen kryekëput për pushtet.

Ai ka thënë se kërkesa e LDK-së që të marrë presidentin pas një viti e gjysmë ka zënë në befasi Vetëvendosjen.

“Ka pengesa të cilat lidhen kryekëput për pushtet. Së pari VV-ja si fituese e zgjedhjeve, gjendet në pozitë më komode, duke i ofruar gjysmën e hises apo tepsisë LDK-së që po dëshiron ta kapitalizojë të qenurit në vend të dytë. E dimë tradicionalisht që LDK-ja është parti me vendimmarrje më problematike, më të ngadalësuar, e këtë e ka treguar edhe në qeverisjen e Mustafës. Duke dashur ta kapitalizojnë po duan të kenë presidentin si kusht të panegociueshëm dhe VV-ja nuk duket e gatshme të ofrojë më shumë se që ka paramenduar. Duket kalkulim i paparashikuar i Isa Mustafës dhe LDK-së kundrejt Kurtit që ka menduar se mbase duke fituar zgjedhjet do të jetë në pozitë komode për të zgjedhur partner, e ideja për të materializuar vullnetin e sovranit do të ishte më i lehtë realizimi i rezultatit. Po del më i vështirë për shkak të egove politike. Tradicionalisht e dimë që ambiciet për pushtet tejkalojnë pritjet reale të njerëzve”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Sipas tij, Vetëvendosje asnjëherë s’ka llogaritur para zgjedhjeve se LDK-ja do t’ia kërkonte postin e presidentit. Qorrolli ka thënë se kërkesa e LDK-së që për presidentin të ketë marrëveshje një vit e gjysmë para zgjedhjes së tij, është kërkesë jorealiste.

“Jorealiste sepse për atë post do të duhej të paktën një vit të punonte qeveria e të jetësohet vullneti i sovranit, e të mos bëhet ideja që pas 16 muajsh të vihet presidenti, por të materializohet qeveria. Fillimisht të jetësohet vullneti i sovranit. Ideja për të negociuar presidentin në dhjetor 2019 për prill 2021 është e parakohshme, e pamaturueshme, edhe e pamenduar mirë, e pa llogaritur mirë”, ka thënë ai duke shtuar se “tashmë po vërehet mosbesimi mes dy partive”.

09/14/2020 20:52

Beqiri: Ujmani nuk është i gjithi i Kosovës, u kërkua të hiqet kjo pikë por nuk ishte e mundur