Lajme

LDK e AAK i “ngrijnë” raportet, rrezikohet demarkacioni

03/02/2018 20:05
nga:A. R.

Ndonëse u përafruan më shumë se kurrë, afër një marrëveshje që do i siguronte votat për ratifikim e demarkacionit, rreziku për kthim në pikën zero në krejt këtë çështje, po shtohet çdo ditë më shumë.

Pas akuzave që AAK i ka bërë LDK-së, për ndryshim të tekstit të marrëveshjes, saktësisht renditjes së pikave, dhe raportit të Shpejtim Bulliqit në këtë marrëveshje, kontaktet mes të dy partive duket se janë “ngrirë”.
Nënkryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, i ka thënë Gazetës Blic, se nuk ka informata se po diskutohet me LDK-në, se çka do të ndodh tutje me këtë marrëveshje.

Ajo çka dihet ka thënë Kadrijaj, është fakti se marrëveshja si e tillë nuk procedohet dhe është stopuar nga AAK-ja.
“S’kam informata më tepër, nëse liderët e partive po diskutojnë.
Por ne e kemi blloku, s’lejojmë me vazhdu procedura e asaj deklarate që u bë në Komisionin Parlamentarë, se e kemi kundërshtu shumica e anëtarëve aty. Për procedurat më tutje presim me u pa” ka theksuar Kadrijaj.

Ajo ka thënë se është e qartë se marrëveshja është ndryshuar, dhe ka thënë se nuk mund të kalojë pa një marrëveshje politike.
“Ajo është stopuar, pa një marrëveshje politike kurrgjo nuk mundet me kalu
Është stopu se ka pas kundërshtime nga shumë anëtarë të komisionit, s’ka qenë ajo marrëveshja, ne kemi pas tjetër material, tjetër gjë kemi votu , tjetër është hartu.” është shprehur Kadrijaj.

Ndërsa persona brenda LDK-së gjithashtu i kanë konfirmuar Gazetës Blic, se askush nga krerët e partisë së tyre nuk është duke diskutuar me AAK-në për të gjetur një zgjidhje rreth këtij dokumenti.
“Jo, jo aq sa e di unë, askush nga LDK nuk është duke biseduar për këtë çështje” i ka thënë ky burim Gazetës.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani kishte deklaruar se akuzat e AAK-së janë të pa baza, ngase asgjë nuk ka ndryshuar në atë dokument.
“Ne nuk kemi propozuar tekst tjetër. Po ai tekst, pra, teksti identik, ka kaluar në Komision për Politikë të Jashtme. Ne nuk besojmë se aty ka pasur ndryshime thelbësore. Qasja e AAK-së, në këtë rast, ka qenë tërësisht e papranueshme, sepse siç duket, kanë probleme brenda partnerëve të koalicionit dhe po tentojnë që ta zhvendosin vëmendjen diku tjetër, në raport me LDK-në”, është shprehur Osmani.

Hedhja në votim e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, ka dështuar për tre herë radhazi në Kuvendin e Kosovës
Ndërsa java që po vjen, vlerësohet ti jetë definitive për këtë çështje./ GazetaBlic/

11/20/2019 00:12

Nga LDK thanë se Kryeministri kalon nëpër zyrat e kësaj partie, vjen kundërpërgjigja e Albulena Haxhiut