Lajme

LDK dhe PDK po përgatitin ankesat, dyshojnë në këmbënguljen e Vetëvendosjes

11/28/2017 17:30
nga:A K

Partitë politike janë në pritje të shpalljes së rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që t’i fillojnë më pas procedurat ligjore për kontestimin e rezultateve në disa komuna.

Lidhja Demokratike e Kosovës, konteston rezultatin në Prishtinë e Dragash, kurse Partia Demokratike e Kosovës në Prizren.

Komisioni Qendror i Zgjedhje, pritet që të mërkurën të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale për kryetarë të komunave. Por, përkundër njoftimeve të shpalljes së këtyre rezultateve, disa parti politike kanë paralajmëruar se nuk do ta njohin atë rezultat dhe do të vazhdojnë me ankesat e tyre në institucioneve përkatëse.

Memli Krasniqi, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se pas publikimi të rezultateve do të ndiqen procedurat ligjore.

PDK pretendon se kandidati i saj në Prizren, Shaqir Totaj, është dëmtuar në raport me kandidatin nga Lëvizja Vetëvendosje, Mytaher Haskuka, i cili sipas KQZ-së i ka fituar zgjedhjet në këtë komunë.

“Kërkesa jonë ka qenë që për të shmangur çfarëdo dyshimi për manipulim të rezultateve zgjedhore në forma të cilat ne nuk mund t’i paragjykojmë. Është dashur që të bëhet rinumërimi i plotë në këtë rast i Prizrenit për sa i takon kërkesë tonë, po e ngjashme ka qenë edhe kërkesa edhe për Prishtinën. Krejt ai ngulmim i Vetëvendosje për ta kundërshtuar rinumërimin na bënë të dyshojmë se ata kanë se çka të fshehin. Sido që të jetë, ne presim shpalljen e rezultatit zyrtar nga ana e KQZ-së, pastaj do t’i ndjekim proceduarat e parapara ligjore, qoftë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ose në faza tjera”, tha Krasniqi.

Ai shpreh besimin se dega e Partisë Demokratike Kosovë në Prizren ka fakte të mjaftueshme për të dëshmuar se gjatë procesit të votimit ose të numërimit ka pasur parregullsi.

“Besoj se dega jonë në Prizren ka materiale të mjaftueshme për t’i kontestuar se paku në vende të caktuara, në qendra të caktuara të votimit, rezultate të cilat nuk janë rinumëruar, por mbetet pastaj në instancat vendimmarrëse që t’i trajtojnë ato ankesa potenciale”, tha Krasniqi.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka paralajmëruar se do të kundërshtojë rezultatet zgjedhore në Komunën e Prishtinës dhe në Komunën e Dragashit.

Në Prishtinë, kandidati i LDK-së, Arban Abrashi, sipas KQZ-së, ka humbur në garën për kryetar, me një dallim të vogël votash, nga Shpend Ahmeti i Lëvizjes vetëvendosje.

LDK-ja përmes një komunikate për opinion ka sqaruar se do t’i përdorë “të gjithë mekanizmat kushtetues dhe ligjorë, në mbrojtje të vullnetit të qytetarëve të shprehur në zgjedhjet lokale, veçmas në rastet, në të cilat janë evidentuar parregullsi, siç janë Prishtina dhe Dragashi”.

Pas disa ankesave të subjekteve politike, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte marrë vendim që në Komunën e Prishtinës dhe atë të Prizrenit të bëhet rinumërimi i votave. Por, me ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, çështja shkoi në Gjykatën Supreme ku u vendos që të mos bëhet rinumërimi në këto dy komuna.

LDK-ja konsideroi se “vendimi i Gjykatës Supreme cenon të drejtën kushtetuese të kandidatit të LDK-së, për Prishtinën, Arban Abrashi”, sepse, sipas kësaj partie politike, “nuk ia jep mundësinë që në mënyrë transparente të vërtetohen rezultatet përmes procesit të rinumërimit”.

Nga ana tjetër, Dardan Sejdiu nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosej, tha për Radion Evropa e Lirë, se ajo që është parë me datën 19 nëntor (ditën e balotazhit) nuk mund të zhbëhet nga asnjë lider apo “subjekt idhnak”. Ai tha se ata që kanë humbur duhet ta pranojnë realitetin.

“E kam të qartë që LDK nuk mund të kuptojë edhe nuk mund të ballafaqohet me disfatën edhe në zgjedhje nacionale, tash edhe në zgjedhje lokale. Por, edhe në humbje duhet të ketë një dinjitet, dhe një lloj pranimi, vet-reflektimi, e jo hidhërimi e fajësimi, qoftë i qytetarëve, qoftë i të tjerëve”, tha Sejdiu.

“Ky lloj hidhërimi, kjo lloj qasje, e që na bën të mendojmë që PDK, LDK e AAK, të vetmin synim në politikë e kanë ndalimin e rritjes së Vetëvendosjes. Fatmirësisht, pazaret e tyre edhe më 11 qershor edhe më 19 nëntor, u zhbënë nga qytetarët dhe vota e tyre e lirë”, tha Sejdiu.

Nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosej, Sejdiu tha se nuk mund të ketë bllokime të tjera të këtij procesi, pasi që siç tha ai, “çdo gjë që kanë pasur mundësi ligjore e kanë ndërmarrë”.

“LDK dhe PDK tashmë e kanë të qartë se koha e tyre në opozitë po fillon, dhe shpresoj se nuk mbaron dhe të qëndrojnë aty së paku një decenie, ashtu siç e kanë mbajtur një decenie pushtetin në Kosovë, dhe e kanë bërë vendin më të varfër me pushtetin e tyre”, u shpreh Sejdiu.

Zgjedhjet lokale në Kosovë janë mbajtur më 22 tetor. Në këtë datë, u zgjodhën kryetarët e 19 komunave dhe asamblistët e rinj në 38 komunat e Kosovës. Kurse 19 komuna shkuan në balotazh në garën për kryetarë, ndërkaq në Kllokot u organizua rivotim.

12/10/2017 16:20

Ja cila deputete e LDK-së e votoi buxhetin