Lajme

LDK: Britanikët e bënë përzgjedhjen e Haraçisë, drejtor, jo Abrashi

11/12/2017 19:19
nga:M H

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj akuzave të kandidatit për postin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Punësimit Dëfrim Rifaj, i cili për KosovaPress pretendon se kandidati për kryetar të Prishtinës nga LDK-ja Arban Abrashi, atëbotë ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, kishte bërë shkelje në emërimin e ish-këshilltarit të tij, Drin Haraçia, në postin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Punësimit.

LDK-ja thotë se Abrashi nuk ka pasur asnjë rol në këtë proces, pasi i gjithë procesi i përzgjedhjes së drejtorit është bërë nga kompania britanike e kontraktuar nga institucionet e Kosovës, gjegjësisht nga kompania britanike BDO LLP në partneritet me kompaninë A&DC, e cila ishte angazhuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë për t’i ndihmuar institucionet e Kosovës në rekrutimin e kandidatëve për pozita të larta të institucioneve publike të Kosovës. “Drin Haraçia ka qenë shërbyes civil në MAPL. Ndërsa, në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Punësimit është përzgjedhur nga britanikët, dhe ka qenë kandidati më i suksesshëm në intervistim. Ndërkaq, Arban Abrashi nuk ka të bëjë fare me këtë emërim. Konkursi ka qenë publik dhe ka pas të drejtë të konkurrojë çdokush”, thuhet në sqarimin e Shtabit të kandidatit të LDK-së për Komunën e Prishtinës.

Ndryshe, KosovaPress gjatë ditës së sotme ka publikuar një artikull në të cilin njëri nga pjesëmarrësit në procedurën e rekrutimit për postin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Punësimit, Dëfrim Rifaj pretendon se ish- ministri Arban Abrashi në mënyrë të kundërligjshme ka emëruar Drin Haraçiajn në postin e drejtorit, meqë ky i fundit ka pasur pozitën e këshilltarit të Abrashit.

Raifaj ka deklaruar se lidhur me këtë çështje e ka njoftuar edhe Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës i cili sipas tij, e ka aprovuar kërkesën, por se ish- ministri Abrashi nuk e kishte marrë parasysh.

Megjithatë, pavarësisht insistimit të KosovaPress-it përgjigje për këtë çështje, nuk është arrit të merret as nga zyra e kryeministrit por as nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Pyetjeve nuk iu janë përgjigjur as zyrtarët e KPMSHCK-së.

11/22/2017 20:47

Dreshaj: I vetëm e kam luftuar bandën e Haki Rugovës