Lajme

LDK “bllok” Albin Kurtit!

13 ditë më parë
nga:G B

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një letër ftese për tajkim, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut. Ai e ka ftuar atë për konsultime para konstituimit të Kuvendit dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë.

Në letrën dërguar Abdixhikut, Kurti ka propozuar datën 9 prill, orën 15:00, ose datën 10 prill, orët 9:00 ose 14:00.

Nga LDK nuk janë deklaruar rreth pjesëmarrjes në takim.

Por, Gazeta Blic nga burime brenda LDK-së merr vesh se Abdixhiku nuk do të shkojë në takim te Kurti.

“Jo, jo, sipas të gjitha gjasave nuk shkojmë në takim me Kurtin”, tha një prej zyrtarëve të lartë në LDK për Gazeta Blic.

Nga kjo parti ka qenë vetëm nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri që në KlanKosova, në në emisionin “DPT te Fidani” ka thënë se letra për të nuk ka qenë befasi, duke mos dhënë detaje të tjera lidhur me takimin e mundshëm.

Por, letra e Kurtit drejtuar Abdixhikut ka ngjallur reagime të shumta gjatë ditës edhe nga zyrtarë të partive të tjera e shoqëria civile.

Ata i kanë kujtuar Kurtit se opozitën i quante ‘hajvanë’, përfshirë edhe Abdixhikun, dhe se tani po i kërkon takim për formim të Qeverisë.

Nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, i është përgjigjur ftesës që Kurti ia bëri Kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku, derisa ka thënë se Kurti i ka përçarë shqiptarët për katër vjet mandate dhe se ai që i ka përçarë nuk mund t’i bashkojë as për krizë e as për paqe.

“Katër vite, kryeministri në detyrë i ka shërbyer përçarjes politike ndërshqiptare. VV është rast tipik i një partie që ngritet vetëm mbi ndasi, e prandaj s’mbijeton dot pa gjetur fajtorë të jashtëm. Kurtit për 4 vite, nuk i konvenoi asnjë politikan opozitarë shqiptarë. E tani, kur iu mbyll dera nga forcat më të mëdha politike shqiptare, ai po mundohet ta fshehë izolimin e vet politik pas tymnajës së akuzave për ndikime të jashtme. Herë ja zëmë rrugën ne, herë KQZ, herë PZAP… e akoma më shpesh vet rendi kushtetues.

Pasi ofendoi, shau e izoloi bashkëpunimin politik ndër-shqiptarë, krijoi pozicionin kur qeveria jetëshkurtër që ai synon u reduktua në biseda pazaresh. Kosova e pasluftës nuk mban mend diskurs të tillë përçarës. E kush synim politik ka t’i përçajë shqiptarët, nuk mund t’i bashkojë e unifikojë as në paqe, e as në krizë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Lidhur me letrën ka reaguar edhe Berat Rukiqi nga LDK, i cili  përmes një postimi në Facebook, ai ka kujtuar se Kurti i ka quajtur hajvana, hajna, tradhtarë e bashkëpunëtorë të qeverisë, më pas ka krijuar mjegull si pasojë e rezultatit fatal politik paszgjedhor dhe tani i kërkon që të takohen dhe të bëjnë pazare.

“Përçarësi në tri akte

Akti 1: Ju jeni hajvana, hajna, tradhëtar, bashkëpunëtor të Serbisë

Akti 2: Krijo mjegull si pasojë e rezultatit fatal politik paszgjedhor: dështimit për të gjetur një partner të vetëm për qeverisje dhe shpërfaqjes së varësisë nga deputetë, që nuk kontrollohen në Kosovë

Akti 3: Hajde takohemi dhe bëjmë pazare. Po i harrojmë të gjitha. Me rëndësi pushteti.

Ky është Albin Kurti: Epitomë e jokonsistencës, mashtrimit, gënjeshtres dhe përçarjes ndër-shqiptare”, ka shkruar Rukiqi.

/Gazeta Blic/