Lajme

LAJMI I FUNDIT: Presidenti Thaçi i kërkon Kuvendit shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë

03/17/2020 22:37
nga:Y I

Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka folur në konferencë për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.

Ai i ka kërkuar Kuvendit të votojë dekretin për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme pas përhapjes së pandemisë Globale Covid 19.

“Tani po ballafaqohemi me një të keqe që mund ta kalojmë se bashku. Shpreh mirënjohjen time për institucionet kompetente për menagjimin e situatës. Ai ka bërë thirrje që ta ruajmë njëri-tjetrin sipas rekomandimeve të IKSHP. Ne si shtet duhet të marrim masat që kemi si shoqëri pasi ky nuk është një grip i zakonshëm. Duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet kam thirr në takim Këshillin e Sigurisë Kombëtare për nevojën e përballimit të kësaj situate. Pas konsultave me Kryeministrin dhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare ne duhet të jemi në krye të përgjësive tona. Në bazë të Kushtetutës unë i kërkoj Kuvendit të votojë dekretin për Shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme ” ka thënë Thaçi para mediave raporton Gazeta Blic.

Presidenti Thaçi propozoi gjendje të jashtëzakonshme. Po çka nënkupton ajo

Sonte presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i ka propozuar Kuvendit të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të përhapjes së koronavirusit në Kosovë duke sjellë një sërë ndalesash për qytetarët.

Por çka konkretisht nënkupton kjo?

Gjendja e jashtëzakonshme buron nga një deklarim i qeverisë, që bëhet në përgjigje të një situate të jashtëzakonshme, që paraqet rrezik thelbësor për vendin.

Deklarimi mund të pezullojë disa funksione normale të qeverisë, mund t’i paralajmërojë qytetarët që të ndryshojnë sjelljen e tyre normale ose mund t’i autorizojë agjencitë qeveritare që të zbatojnë plane të përgatitjeve emergjente, si dhe të kufizojnë ose pezullojnë liritë civile dhe të drejtat e njeriut.

Nevoja për të deklaruar gjendje të jashtëzakonshme mund të lindë nga situata nga më të ndryshmet prej veprimit të armatosur kundër shtetit nga elemente të brendshme ose të jashtme, një fatkeqësie natyrore, një trazirë civile, një epidemie, një krize financiare apo ekonomike ose një greve të përgjithshme.

Cilat të drejta të njeriut nuk mund të kufizohen edhe në rastin e gjendjes së jashtëzakonshme?

Disa të drejta të njeriut janë të pacenueshme në çdo rrethanë. Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore dhe Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike i përcaktojnë këto të drejta si më poshtë:

• e drejta për jetë;

• ndalimi i torturës;

• liria nga skllavëria;

• liria nga legjislacioni post facto dhe garancitë e tjera ligjore;

• e drejta për t’u njohur para ligjit;

• liria e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë.

Komisioni i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka pranuar se, përveç të drejtave të pacenueshme që renditen më sipër, janë edhe disa të drejta të tjera njerëzore që nuk duhet të cenohen:

• trajtimi njerëzor i të gjithë personave të
privuar nga liria;

• ndalimet e pengmarrjes dhe burgosjeve të fshehta;

• mbrojtja e të drejtave të personave që u
përkasin pakicave;

• ndalimi i propagandës që nxit luftën ose
urrejtjen kombëtare, racore apo fetare;

• garancitë procedurale dhe masat mbrojtëse që kanë për qëllim të sigurojnë integritetin e sistemit gjyqësor.

Çfarë kompetencash të veçanta mund të shpallen gjatë gjendjes së jashtëzakonshme?

Kompetenca të veçanta emergjente i jepen qeverisë siç parashihen në Kushtetutë apo në ligje të miratuara.

Shembujt e masave apo kompetencave emergjente kanë një gamë të gjerë, për shembull:

• kufizimi i lirisë së shtypit dhe ndalimi i tubimeve publike;

• dislokimi në vend i forcave të
armatosura;

• evakuimi i njerëzve nga shtëpitë dhe vendet e tyre të punës;

• bastisjet e shtëpive dhe vendeve të tjera private pa autorizim; arrestime pa akuza

• konfiskimi i pasurisë private (me ose pa kompensim) dhe/ose shkatërrimi i saj;

• rregullimi i veprimeve të ndërmarrjeve private; ndërhyrja në transaksione financiare dhe rregulla të eksportit;

• legjislacion i veçantë për të ndëshkuar mosrespektimin e rregullave të emergjencës.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, nenit 131, pikës 1, presidenti i Kosovës shpall gjendje të jashtëzakonshme në këto raste: ka nevojë për masa emergjente të mbrojtjes, ka rrezik të brendshëm ndaj rendit kushtetues ose sigurisë publike dhe ka fatkeqësi natyrore, e cila prek tërë territorin e Republikës së Kosovës ose një pjesë të tij.

Ndërsa, pika 2 e nenit 131 të Kushtetutës së Kosovës, thotë se gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk suspendohet. Kurse, kufizimet mbi të drejtat dhe liritë e garantuara me këtë Kushtetutë bëhen vetëm deri në shkallën e nevojshme, për sa më pak kohë që të jetë e nevojshme dhe në përputhje të plotë me këtë Kushtetutë. Gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, ligji për zgjedhjet e Kuvendit dhe të komunave nuk mund të ndryshohet. Parimet e tjera për veprimet e institucioneve publike gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme rregullohen me ligj, por ato nuk duhet të jenë në shpërputhje me këtë nen.

Pika 3 e nenit 131 të Kushtetës thotë se nëse paraqitet nevoja për marrjen e masave emergjente të mbrojtjes, Presidenti i Republikës së Kosovës, pas konsultimit me Kryeministrin, shpall Gjendjen e Jashtëzakonshme. Me shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, Presidenti i Republikës së Kosovës shpallë menjëherë dekretin, i cili përcakton natyrën e kërcënimit dhe çfarëdo kufizimi për të drejtat dhe liritë. Brenda dyzet e tetë (48) orësh, Kuvendi mund të japë pëlqimin me dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë. Nëse nuk jepet pëlqimi, dekreti i Presidentit nuk ka forcë as efekt.