Lajme

Lajm i keq: Edhe vaksina ndaj koronavirusit nuk mund të japë mbrojtje më të gjatë se 3 muaj

07/13/2020 12:03
nga:Gazeta Blic

Sipas një studimi, njerëzit që janë shëruar nga Covid-19 mund ta humbin imunitetin e tyre ndaj sëmundjes brenda disa muajve dhe virusi mund t’i prekë njerëzit vit pas viti, njësoj si ftohja e zakonshme.

Në studimin e parë gjatësor të llojit të vet, shkencëtarët e analizuan përgjigjen e sistemit imunitar të më shumë se 90 pacientëve dhe punëtorëve shëndetësorë në sektorin e shërbimit publik shëndetësor në Britani dhe zbuluan se niveli i antitrupave që mund ta shkatërrojnë virusin e arriti kulmin rreth tri javë prej fillimit të simptomave, por më pas ra shpejt.

Testet e gjakut treguan se përderisa 60 për qind e personave patën përgjigje potente të antitrupave në kulmin e betejës së tyre me koronavirusin, vetëm 17 për qind e tyre e patën të njëjtin nivel të potencës tre muaj më vonë. Niveli i antritrupave ra deri në 23 fish gjatë kësaj periudhe. Në disa raste, antritrupat madje u bënë të pavërejtshëm, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

“Njerëzit janë duke prodhuar një përgjigje të arsyeshme të antitrupave ndaj virusit, por ajo po shuhet për një periudhë të shkurtër dhe varësisht se sa i lartë është kulmi, kjo përcakton se sa gjatë do të qëndrojnë antitrupat”, tha Dr.Katie Doores, udhëheqëse e studimit në Kolegjin e Mbretit në Londër.

Sistemi imunitar ka rrugë të ndryshme për ta luftuar koronavirusin, por nëse antitrupat janë vija kryesore e mbrojtjes, rezultatet e studimit lënë të kuptohet se njerëzit mund të infektohen përsëri në valë sezonale dhe se vaksinat mund të mos i mbrojnë ata për një kohë të gjatë.

“Infeksioni ka prirje që t’jua japë skenarin më të mirë për një përgjigje me antitrupa, pra, nëse infeksioni juaj ju ofron nivele të antitrupave që shuhen për dy apo tre muaj, vaksina do ta bëjë potencialisht të njëjtën gjë. Njerëzit mund të kenë nevojë për rritje të sasisë dhe një dozë mund të mos jetë e mjaftueshme”, shtoi Doores.

Ky stuim është i pari që i ka monitoruar nivelet e antitrupave te pacientët dhe punëtorët shëndetësorë për tre muaj pas shfaqjes së simptomave. Shkencëtarët i morën rezultatet nga 65 pacientë dhe gjashtë puëntorë të kujdesit shëndetësor të infektuar me koronavirus si dhe nga 31 pjesëtarë të tjerë të stafit, të cilët vullnetarisht iu nënshtruan testit të rregullt për nivelin e antitrupave nga marsi në qershor.

Rezultatet e hershme nga Universiteti i Oksfordit kanë treguar se vaksina e koronavirusit, që ky institucion është duke e zhvilluar, prodhon nivel më të ulët të antitrupave te majmunët sesa te njerëzit e infektuar me koronavirus. Përderisa dukej se vaksina i mbron kafshët nga infeksioni serioz, ato përsëri u infektuan dhe ka ekzistuar mundësia që ta përhapun virusin.

 

Disa zyrtarë dalin me koronavirus, Mitrovica pezullon shërbimet për dokumente