Lajme

Lajcak rreth dialogut: Kemi bashkëpunim të ngushtë me SHBA, së shpejti do të kemi rezultate konkrete

12/17/2021 21:41
nga:M K

Përfaqësuesi special i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajcak, ka deklaruar se ky dialog nuk është i thjeshtë, dhe është një çështje njejtë e ndjeshme si për Serbinë dhe Kosovë, duke shtuar se beson se shpejtë do të shohim rezultate konkrete.

Lajcak në një audio podcast intervistë për portalin Buka nga Banja Lluka ka folur për çështjet e Ballkanit Perëndimor ku edhe vlerësoi se çështja më e rëndë është ajo në Bosnje e Hercegovinë.

Ai komentoi dialogun ku edhe ndërmjetëson si emisar i BE’së, atij kosovar dhe serb dhe e quajti të ndërlikuar dhe të ndjeshme njejtë kur u pyet rreth Asociacionit të Komunave Serbe.

“Megjithatë, dialogu po vazhdon për një dekadë që ka sjellë disa zgjidhje konkrete të mira. Dialogu s’ka alternativë dhe këtë e konfirmojnë si liderët në Kosovë dhe ata në Serbi dhe është kyç në normalizimin e marrëdhënieve europiane dhe në përparimin e tyre në rrugëtimin europian. Sot jemi në një situatë që kemi liderë me mandatë të fuqishëm në Beograd dhe Prishtinë. Ata kanë fuqi të sjellin zgjidhje dhe jemi në fazë të negociojmë për atë se cila është mënyra më e mirë përpara” tha Lajcak.

Ai shtoi se “liderët u takuan në Bruksel si në qershor poashtu edhe në korrik. Janë të gatshëm të vijnë përsëri” siç tha. Ai shtoi se “po punohet që në atë takim të prodhohen edhe disa zgjidhje konkrete. Ai dialog nuk është i thjeshtë, por ka nisur dhe besoj se do të kemi rezultate konkrete shumë shpejt”. Lajcak shtoi një paralajmërim aty duke thënë se përshkallëzimi nuk i konvenon asnjërës palë.

I pyetur nëse rajoni do të duhej të brengosej apo gëzohej shtimi i interesimit të bashkësisë ndërkombëtare duke e ditur se edhe Britania së fundi emëroi Stuart Peach. Lajcak tha se do të ishte më e mira sikur të gjithë të merreshim me punën e vet.

“Mirëpo, rajoni është adaptuar me angazhimin e shtuar të bashkësisë ndërkombëtare. Për fat të keq, ende ka nevojë për këtë. BE nuk ka ndërmend të mikro-menaxhojë rajonin, por thjeshtë prezenca jonë është e nevojshme” dhe shtoi se Bashkimi Europian ka prezencën më të madhe pasi është investitori, partneri tregtar dhe donatori më i madh.

Ai shtoi se Bashkimi Europian investon miliarda euro në zhvillimin e Ballkanit Perëndimor.

“E kur flasim për angazhimin politik, do të doja të theksoja si një gjë pozitive bashkëpunimin shumë të ngushtë që kemi me SHBA’në dhe administratën Joseph Biden” tha Lajcak dhe tha se ndajnë me ta të njëjtin vizion, që është një Ballkan që ka të njëjtat vlera me BE, dhe konfirmoi se ai dhe Gabriel Escobar rishtas janë takuar me Peach në Londër dhe me gjashtë shefat e diplomacisë nga rajoni.

“Porosia kryesore e atij takimi ishte se nuk ka të ardhëm tjetër për Ballkanin Perëndimor përveç asaj europiane, nuk ka agjendë tjetër përpos europiane, dhe s’ka mënyrë tjetër të normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës përveç dialogut të BE, dhe natyrisht që kemi mirëpritur Stuart Peach t’i bashkëngjitet përpjekjeve si pjesë e të njëjtit ekip. Peach këtë absolutisht e konfirmoi” tha Lajcak.

“Problemi më serioz është kriza në BeH. Sfida e rëndësisë më të madhe strategjike është normalizimi i marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinë, pasi kjo nuk i përket vetëm dy vendeve, kur dihet se shqiptarët dhe serbët jetojnë në secilin shtet në Ballkan dhe relacioni mes Serbisë dhe Kosovës ka ndikim në bashkëpunimin rajonal, dhe për këtë zgjidhje e kësaj çështje është e rëndësisë më të madhe strategjike” tha ai.

Mbi të gjitha, emisari europian deklaroi se sfida themelore është drejtimi që po zgjedh Ballkani.

“Dhe sfida që mendoj se është më themelore është pyetja se si do të jetë Ballkani. A do të ketë një Ballkan që ndan vlerat evropiane, që promovon demokracinë dhe sundimin e ligjit, që lufton korrupsionin dhe që ka media të pavarura dhe shoqëri civile? Ose do të kemi shoqëri në të cilat nuk ka asgjë të tillë pa pasur një lloj qeverie autoritare, pa respekt për vlerat evropiane”.

Kjo ndeshje po vazhdon të zhvillohet dhe pikërisht mendoj se është shumë me rëndësi për BE dhe vendet e rajonit që t’i bashkohen, jo vetëm administrativisht, por para së gjithash sipas një sistemi të përbashkët vlerash.