Lajme

Kuvendi zyrtarisht njofton se mbledhja e Kryesisë shtyhet për të mërkurën

01/12/2018 17:51
nga:D.I

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ku pritej të shqyrtohej përsëri futja në rend të ditës e shfuqizimit të Gjykatës Speciale e cila ishte caktuar të mbahet më 15 janar, tani është shtyrë për të mërkurën.

Kuvendi ka lëshuar një komunikatë që thotë se mbledhja e Kryesisë do të mbahet më 17 janar.

“Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, e paraparë të mbahet të hënën, më 15 janar 2018, do të mbahet të mërkurën, më 17 janar, në orën 11:00”, thuhet në njoftim.

Sot gjatë ditës Kuvendi i Kosovës ka dërguar një agjendë ta takimit të kryesisë së Kuvendit të datës 15 ku nuk ka figuruar kjo pikë por pjesëmarrës të takimit të Kryesisë me Grupet Paralamentare kanë konfirmuar se përsëri po provohet të përsëritet nata e 22 dhjetorit ku u tentua të shfuqizohet ligji për Gjykatën Speciale.

Ndërkohë sot deputetët e Kuvendit dhe tre liderët kanë marrë një kërcënim të ri ndaj kësaj iniciative. Atyre u kanë reaguar Zyra e BE’së dhe misionet diplomatike të vendeve anëtare të BE’së që përfaqësohen në Kosovë.

“Çdo tentim për ta shfuqizuar apo ndryshuar mandatin e Dhomave të Specializuara e minon seriozisht një përkushtim të tillë dhe do ta rrezikonte seriozisht punën e arritur nga Kosova dhe BE-ja për sundimin e ligjit të arritur viteve të fundit. Kjo do të kishte ndikim negativ në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në. Prandaj, BE-ja u bën thirrje iniciatorëve të nismës së Parlamentit që ta tërheqin këtë iniciativë. BE-ja e mirëpret deklaratat publike të kohëve të fundit nga liderët politikë në përkrahje të nderimit të obligimeve të Kosovës. BE-ja i përshëndet mediet dhe shoqërinë civile që kanë ngritur zërin kundër kësaj iniciative të dëmshme. BE-ja e përkrah fuqishëm përparimin e Kosovës në integrimin e saj evropian” thuhet në reagimin e sotëm të BE’së.

 

 

01/18/2018 14:10

Xhavit Haliti tregon se kur do të mbahet mbledhja e radhës e Kryesisë së Kuvendit