Lajme

Kuvendi shkon në pushim, Kosova rrezikon të ‘mbetet’ pa ambasadorë

08/09/2021 18:18
nga:M K

Ka më shumë se tre muaj që ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka shkarkuar 12 ambasadorë të Kosovës në shtete të ndryshme dhe ende nuk është bërë emërimi i diplomatëve të rinj. Kështu, nga fillimi i shtatorit vendi rrezikon të mbetet pa ambasadorë në 12 vende mike.

Ndonëse Ministria e Punëve të Jashtme pretendon se kjo çështje do të përmbyllet brenda kësaj jave, gjasat që ndodhë diçka e tillë janë fare pak të mundshme.

Kjo për faktin se Kuvendi i Kosovës, aty ku duhet të bëhet intervistomi i kandidatëve për ambasadorë, shkon në pushim të enjten dhe nuk i kthehet punës deri në gjysmën e shtatorit.

Deputetja nga radhët e PDK-së në Komisionin për Punë të Jashtme, Ariana Musliu– Shoshi thotë se nëse qeveria do ta merrte më seriozisht këtë punë, atëherë ky proces do mund të përfundonte për një javë, por jo në këto rrethana.

Sipas saj, proceduralisht është problem të përfundojë tani, sepse Kuvendi shkon në pushim.

“Si proces, sa i përket Rregullores dhe Ligjit për shërbim të jashtëm nuk ish dashtë që të marrë shumë kohë. Fillimisht kandidatët duhet të vijnë në Kuvend, të intervistohen nga Komisioni për Punë të Jashtme, pastaj shkojnë te Presidentja, e pastaj varet prej saj se kur i nënshkruan. Një javë nuk ish dashtë me zgjat ma shumë, por tash problem është që Kuvendi shkon të enjten në pushim. Përveçse nëse Ministria ka vendos me i shkel rregullat, kjo është çështje tjetër”, ka thënë Musliu – Shoshi.

Deputetja Musliu-Shoshi përkujton se ministrja Gërvalla ka thënë se ky proces është çështje ditësh.

“Tash ministrja po thotë se është çështje ditësh dhe që emrat që janë të propozuar duhet të vijnë në Kuvend, në Komision për punë të Jashtme dhe Komisioni mandej ia prezanton raportin presidentes, cili është në rregull, cili i plotëson kushtet, cili jo dhe pastaj presidentja e jep verdiktin final. Pastaj pas vendimit të presidentes emrat shkojnë në vendet përkatëse”, ka thënë ajo.

E sipas anëtares së këtij Komisioni procesi i zëvendësimit të ambasadorëve të shkarkuar duhej të ishte një çështje urgjente për qeverinë për shkak se sipas saj në momentin që një ambasadë mbetet pa asnjë diplomat atëherë marrëdhëniet diplomatike dypalëshe ndërpriten.

E një gjë të tillë po e thotë edhe anëtarja tjetër e këtij Komisioni, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

Ajo në një intervistë për ‘inFokus‘ ka akuzuar qeverinë se e ka zhagitur këtë proces.

“Unë mendoj që kjo do të jetë java e fundit që do të ketë seancë plenare dhe kjo është e rëndësishme, sepse kur shkon Kuvendi në pushim, shkojnë edhe Komisionet Parlamentare dhe anëtarët e Komisionit të cilët i kanë rezervuar pushimet. Kanë planifikuar që në momentet e fundit të dorëzojnë emrat, por unë se kam përkrahë sepse kanë pasur kohë mjaftueshëm që të sillën emrat dhe pikërisht për këtë ka pasur edhe pyetje parlamentare për ministren në kuvend për shkak se dihen procedurat parlamentare. Ka pasë mjaft vonesa dhe zhagitje në këtë proces”, ka thënë ajo.

Derisa deputetja ka theksuar se zëvendësimi i ambasadorëve në këtë kohë kur po përballemi me dialogun duhej të ishte jetike.

“Procedura e gjatë shkarkimi i menjëhershëm i ambasadorëve në këto vende mike në këtë periudhë kohore kur po përballemi me dialogun, kur edhe përfundon moratoriumi për anëtarësim në organizata të ndryshme ndërkombëtare ka qenë më se e nevojshme prezenca e ambasadorëve për lobim në vendet mike”, ka përfunduar ajo.

Kujtojmë se Kosova ka mbetur pa ambasadorë në këto vende, pasi të njëjtit u shkakruan me vendim të ministres së Punëve të Jashtme.

Nait Hasani — Shqipëri, Gjergj Dedaj — Maqedoni e Veriut, Ylber Hysa — Mal i Zi, Shpend Kallaba — Hungari, Arbër Vllahiu — Çeki, Gëzim Kasapolli — Koraci, Avni Kastrati — Slloveni, Beqë Cufaj — Gjermani, Lirim Grajqevci — Holandë, Hajdin Abazi — Australi, Amir Ahmeti — Katar dhe Avni Arifi — Emiratet e Bashkuara Arabe, Qëndrim Gashi – Francë.

Derisa arsyeja për shkarkimin e tyre ishte se ministria ka marrë vendim që të shkarkojë të gjithë ambasadorët e emëruar politikisht.