Lajme

“Kushdo që del nga VV-ja përfundon në PDK”

11/09/2018 18:03
nga:Q F

Deputeti i lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj ka folur për raportet me Partinë Socialdemokrate në komunën e Prishtinës dhe Gjilanit, si dhe për bojkotin e Kuvendit të Kosovës.

Rexhaj ka komentuar deklaratat e deputetit të PSD-së, Dardan Molliqaj i cili kishte thënë se LDK dhe VV po tentojnë përmes deriçkave të kthehen në Kuvend.

“Dardan Molliqaj po harron që sa ishte në Vetëvendosje thoshte se kur dikush del nga VV-ja nuk do të mund të qëndroj i lirë dhe i pavarur dhe dyert do t’i hapin nga PDK dhe kushdo që del nga VV përfundon në PDK. Komuna e Prishtinës po shkon saktësisht në atë ka thënë Dardan Molliqaj”, tha ai.

Deputeti Rexhaj tha se kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka shkarkuar drejtorët të cilët kanë bërë reforma të thella në Prishtinë, si Arben Vitija që ka bërë reforma të thella në shëndetësi.

“Nuk besoj që Arben Vitija ose drejtorët tjerë kanë ndryshuar për gjashtë muaj. Shpend Ahmeti ka ndryshuar. Pikërisht, është fjala e Dardan Molliqajt, kushdo që del nga Vetëvendosje përfundon në PDK, përfundon te Kadri Veseli”, tha Rexhaj në një intervistë për Telegrafin.

Ai tha se kjo që ndodhi në Prishtinë është shumë e qartë dhe nuk ka koalicion PSD-Vetëvendosje, por sipas tij, së shpejti do ta kenë një mbledhje të Kryesisë ku do të diskutohet për Prishtinën dhe Dardanën.

Sipas tij, PSD po ia bën argatin pushtetit edhe në Kuvend.

Rexhaj më tej u shpreh se Vetëvendosje aktualisht është në një lloj bojkoti të Kuvendit, por do të shkojnë në Kuvend atëherë kur e shohin të nevojshme dhe të domosdoshme për interesin e qytetarëve.

“Nëse e vlerësojmë se duhet të kthehemi në Kuvend, do të kthehemi…”, u shpreh Rexhaj.

Sipas tij, çështja e koalicionit me PSD në Prishtinë dhe Dardanë si dhe çështja e bojkotit të Kuvendit do të diskutohen në Kryesi.