Lajme

Kush ishin gazetarët që ia kumtuan botës lajmin për masakrën në Reçak?

01/15/2020 16:47
nga:B. D

21 vjet më parë, Reçaku, një fshat afër Shtimes, u shndërrua në arenë vrasjesh dhe mizorish ndaj civilëve shqiptarë.

Ndodhi njëra ndër ngjarjet më tragjike në historinë e Kosovës.

Lajmi për masakrën u bë kryetemë e medieve globale, duke u shndërruar kësisoj në presion të pakapërcyeshëm ndaj liderëve të superfuqive për domosdoshmërinë e intervenimit ushtarak.

Por, kush ishin gazetarët që kishin shkuar të parët në vendin e ngjarjes?

Naser Miftari, gazetar i Kohës Ditore, dhe Tzur Shezaf, gazetar izraelit.

Naser Miftari

Tzur Shezaf

Në njërin nga kapitujt e librit “Lufta Ndryshe” (2008), gazetari Baton Haxhiu i ka rrëfyer në detaje momentet e ballafaqimit të gazetarëve me tmerrin e Reçakut në atë mëngjes të kobshëm.

Ju ftojmë ta lexoni, si reminishencë për një dhimbje kolektive.

Mëngjesi i tmerrit në Reçak

– – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – –

Naser Miftari ishte gazetari i parë që kishte ardhur nga Fakulteti i Gazetarisë së Tiranës. I qetë, muskuloz dhe me një stil shumë të mirë shkrimi, ishte njeriu i parë jashtë fshatit Reçak që e kishte parë fshatin të shkatërruar dhe të vrarë, së bashku me një gazetar izraelit, Tzur Shezaf.
Ishte e habitshme që një gazetar nga Izraeli të ndodhej në Kosovë. Nuk i kishim parë më herët këtu. Kishte ardhur në redaksi për të biseduar për mundësinë e shoqërimit të tij nga një gazetar yni. Ishte e zakonshme të dinim se ku shkonin gazetarët. Vetëm sa për të pasur informacion, në një kohë që ishte e keqe dhe aspak e sigurt.

Ato ditë nuk kishte shumë qetësi në Kosovë. Kishte filluar të prishej armëpushimi. Naser Miftari tha se dëshironte të shkonte në Reçak. E pyeta prej nga kjo ide, pse në Reçak, ku është ky vend?
Për ta shoqëruar gazetarin izraelit, më tha.
Shezaf kishte planifikuar të shkonte herët në mëngjes në atë fshat afër Shtimes.
Ishte edhe një arsye tjetër pse shkonin gazetarët në shoqërim. Një, se me lehtësi realizohej tema dhe nuk komplikohej procedura me policinë serbe. E dyta: paguhej mirë. Thjesht, mirë për të dyja palët.

Bardhyl Mahmuti, zëdhënës i UÇK-së për Zvicër, kishte telefonuar në orën tre pas mesnatës. Ishte zgjuar nëna ime për ta marrë telefonin. Trokiti lehtë në derë që të më zgjonte. I kishim netët me shumë stres.
Bardhyli thërriste shpesh në telefonin e shtëpisë, por asnjëherë në këso kohe. E thërrisnim edhe ne, shpesh. Ishte një figurë interesante për ne. Një shok i mirë, matanë telefonit, por i rrëmbyeshëm. Nuk e kishte sensin e distancës. I shikonte gjërat nga Zvicra. Jo rrallë edhe me një patetizëm. Mënyra se si fliste dhe si i shpjegonte gjërat ishte dramatike, edhe pa pasur ndonjë lajm të tillë.

U ngrita rrëmbyeshëm dhe dola me vrap te telefoni.
“Çfarë ka ndodhur, Bardhyl?”.
“Katastrofë!”, tha.
“Janë vrarë 21 ushtarë të UÇK-së që kishin qenë në roje, si dhe dhjetëra civilë!”.
Lajmi ishte shokues, të cilin Bardhyli ma kumtoi pa fije takti.
Jam ulur në tokë nga mundimi.
“Por, ku ka ndodhur?”, e pyeta.
“Në Reçak… Diku në Shtime…”, më tha.
Menjëherë m’u kujtua gazetari izraelit dhe diskutimi me Naserin.

Një fshat për të cilin kurrë nuk kisha dëgjuar më parë, për 12 orë u bë temë tmerri.

Pa i shpjeguar detajet e ngjarjes për familjen time, jam nisur për në redaksi. Së pari kam thirrur fotoreporterin Alban Bujari, gazetarët Beni Qena dhe Ylber Bajraktari, si dhe shoferin e redaksisë Afrimin – i cili kishte qenë në të gjitha vendet më të rrezikshme të luftës. Kam lajmëruar edhe Veton Surroin dhe Ylber Hysën. Pas një kohe shumë të shkurtër, jemi gjetur të gjithë në redaksi.
Çka të thuhet për një lajm që nuk ishte i verifikuar? Kë ta lajmërojmë? Si të thuhet? Kush na ka thënë? Kush na ka dhënë lajmin?
Të gjitha këto pyetje i kishim para vetes…

Kam thirrur Ambasadorin William Walker, Shefin e Misionit të KVM (verifikuesve), për t’ia bërë të ditur lajmin. Thënë të drejtën, nuk e di kush më është paraqitur në telefon. A është paraqitur vetë z. Walker, apo dikush nga ekipi i tij. Kam marrë porosinë nga andej se “do ta verifikojnë shpejt”.
Pastaj kam telefonuar David Slinn dhe Jan Kickert.

Beni dhe Ylberi mendonin se duhej të niseshim për Reçak. Afrimi ishte i bindur se duhet të rrezikonim.
Ishte një frikë. Nuk ishte lehtë të vendosej.
Diku rreth orës 5:30 kemi ndarë mendjen të nisemi. Afrimi ishte i qetë dhe na jepte kurajë. Këtë herë nuk ngiste makinën me shpejtësi. E dinte se po ta bënte si herëve të tjera mund të bëhej shkas për t’u ndalur nga policia. Por, kësaj here nuk kishte asnjë njeri në rrugë. Asnjë veturë e vetme.

Me të arritur në Shtime, përpara sysh na dolën autoblinda të ndalur para një pompe benzine. Kishte policë që rrinin përballë strehës së çmendinës. Njëzet metra më poshtë, një kthesë tregonte rrugën për Reçak. Në një djerrinë që vinte pastaj, në anën e majtë të rrugës, zbrisnin dhjetëra policë të veshur me këmisha antiplumb, me ngjyrë të gjelbër. Në anën e djathtë të rrugës, qindra policë ishin ulur nën pisha. Disa kishin ngritur istikame. Para policëve lëviznin dy autoblinda. Ishte një rreshtim që nuk e kishim parë më herët.

Kemi marrë rrugën për Reçak. Albanit, Afrimit, Ylberit dhe Benit iu tregova rrëfimin për gazetarin izraelit dhe Naserin.
Afrimi kishte aftësi të jashtëzakonshme konspiracioni.
“Uh, nanën! Mosad është ai”.

Në hyrje të fshatit, një ushtar i UÇK-së e pat vetëm një fjalë me të cilën përshkroi ngjarjen që kishte ndodhur.
“Tmerr… E kanë vra krejt fshatin”.

Në fshat dëgjoheshin klithma.
Në fillim të shtëpive të fshatit pamë kufomën e parë. Koka e prerë. Një trup i gjakosur dhe i torturuar para se të prehej. Krimi ishte mbuluar me një copë karton.
Asnjëri nesh nuk fliste asnjë fjalë nga goditja që na dha ajo pamje e tmerrshme, kurrë e përjetuar më parë.
Tronditjet tjera po na prisnin me radhë.
Në të parën shtëpi që hymë pamë një trup të bërë blozhdë. Kishte mbetur i shtrirë te dera, ndërsa një fëmijë nëntëvjeçar që ishte ekzekutuar nga afër shtrihej bri tij pak metra me larg.
Lart në shtëpi ishin tërë familja. Gratë kishin vënë shamitë e mortit. Aty, një ushtar i UÇK’së e kishte të rëndë pse nuk kishte mundur ta mbronte familjen.
“Nuk arrita t’i shpëtoj. I kishin vrarë të gjithë ushtarët e UÇK-së që kishin qenë roje të fshatit. I kishin ekzekutuar nga afër”, fliste ky ushtar, që s’kishte më shumë se tridhjetë vjet.

Më tej, një derë e drunjtë midis dy mureve të larta qëndronte e hapur. Disa trupa të shtrirë, që ishin ekzekutuar, qëndronin në mes të oborrit.
“Shkoni ma andej, se të gjithë janë të vramë”, tha një zë gruaje e shastisur nga gjithë ai tmerr.

Një luginë shpinte në drejtim të një pjese të fshatit që ishte e ndarë. Bryma, që dukej si borë, kishte mbuluar gjelbërimin e posanisur. Edhe aty kufoma të shpërndara gjithandej. Ishin vrarë në ikje dhe ishin ngrirë nga të ftohtit. Një plaku dora i kishte mbetur te qafa. Aty e kishte rrokur plumbi. Kësulën e kishte larg, një gjysmë metër. Gjaku ishte derdhur përreth trupit. Një metër më tutje, një djalë i ri që ishte bërë blozhdë, këmbët e të cilit ishin të zbathura.

Pastaj, një bregore me plot kufoma…
Ecnim midis kufomave, të zhbrehur në vaj dhe pa mundur ta besonim përmasën e tmerrit që po e shihnim.
Të gjithë ishin vrarë nga një pozicion i njëjtë.

Por, këtu nuk ishte fundi i çnjerëzores.

Një bregore ndodhej në anën tjetër të fshatit. Para nesh u shfaq një fushë e vdekjes. Plot trupa të shtrirë. Tre a katër në një vend dhe disa tjerë tutje. Më tej, në një lug – dhjetëra trupa në një vend. Të pushkatuar. Në mesin e tyre qëndronte një vajzë që vajtonte të vëllanë, kurse tjetri që ishte buzë çmendjes, tregonte për ekzekutimin. Ai kishte qenë në vargun e të ekzekutuarve, por kishte shpëtuar pasi ishte shtrirë që në zbrazjen e breshërisë së parë.

Gra dhe fëmijë ishin shtrirë në oborret e shtëpive të Reçakut. Një plakë e kishte para vetes të vdekur të vetmin fëmijë. E kishte të adoptuar dhe ia kishin vrarë shpresën e jetës së saj. Dhjetëra të tjerë ishin krejt të mavijosur. Ishin rrahur deri në alivanosje.

E qanin veten dhe nuk kishin ide se disa metra më larg ishin vrarë shumë burra të fshatit.

William Walker zbret në Reçak. Dhe ndalet para kufomës së parë të fshatit. Ishte ajo e burrit me kokën e këputur.
Është nisur fushës së vdekjes. Shikon kufomat e grumbulluara, një nga një. Asnjë fjalë të vetme nuk e thotë aty.

Pak çaste më vonë, Walker kishte zgjedhur të fliste përpara gazetarëve të tubuar. Kishte vendosur ta thoshte fjalinë që e tregonte ngjarjen më të dhimbshme, më rrëqethëse, më të tmerrshme.

“Kjo është masakër mbi popullsinë civile!”.

Naser Miftari dhe gazetari izraelit tashmë i kishin dërguar imazhet e para të masakrës së Reçakut.
Gjithçka kishte marrë dhénë.
Gazetari që e trajtoja si njeri i cili “i kishte shitur drutë” pasi ma përmendi një fshat vetëm disa orë më herët, m’u bë i afërt.
Si e kishte ditur ai që Reçaku do të jetë vend i masakrës?
Rastësia?
Nuk më besohej.
Disa kohë më vonë, po i njëjti gazetar kishte kontaktuar me Qeverinë e Izraelit dhe kërkonte që i tërë fshati të shpërngulej në Izrael. Të gjitha shpenzimet do t’i mbulonte qeveria e këtij vendi.
Përgjigjja ishte: “Jo”.

04/21/2020 17:44

Gazetarët po rrezikojnë shëndetin e tyre në konferencat e institucioneve!