I lindur në Gjakovë e 23-vjeçar në kohën e luftës, Milan Radojiçiq, kujtohet të ketë bërë krime edhe në rini.
Ata që e patën bashkëvendës thonë se ai ka marrë pjesë në djegie të shtëpive të shqiptarëve, pikërisht në vendin e tij të lindjes.
Pas luftës, nën hijen e Zvonko Veselinoviqit, i njohur si ‘baba i urës së Ibrit’, kohë të gjatë qe e paqartë se cili ishte shefi, mes tij dhe Radojciqit.
Por me ikjen dhe angazhimin e Zvonkos në Beograd, ai ia la pushtetin në veri Radojiçiqit, që nga serbët është dëgjuar edhe pseudonimi ‘Zoti i veriut’. Krejt kjo pasi në komunat me shumicë serbe nuk është marrë asnjë vendim pa e aprovuar kreu i dyshuar i mafisë serbe.
Ajo që dihet sigurt është se Radojiçiqi që nga viti 2013 ishte shefi i krimit të organizuar që vështirë të kontrollohej nga organet e sigurisë.
Në kohën e zgjedhjeve të vitit 2017, Radojçiq nuk mbante ndonjë pozicion zyrtar politik, por autoriteti i tij në botën e krimit dhe dhuna e grupit të tij e bënë atë një njeri të dashur për serbët.
Prokurorët serbë në veri bënë disa përpjekje për ta ndjekur penalisht, por dështuan çdo herë, pasi dëshmitarët kërcënoheshin, rraheshin e pastaj ndërronin deklaratat ose hiqnin dorë krejtësisht.
Radojçiq zyrtarisht mori rol në Listën serbe në qershor të vitit 2018, duke u bërë nënkryetar i këtij subjekti, por ndikimi i tij në atë parti e në atë territor erdhi shumë kohë më parë.
Aktet e tij kriminale përmendeshin edhe në një aktakuzë të vitit 2019, e ngritur për vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe të tjera krime, por për të tjerë persona. Megjithatë emri i Milanit, është figurë kyçe në të.
Teksa flitet për kriminalitetin e Listës serbe, dëshmitarët në fjalën e tyre e konsiderojnë Radojiçiqin “kumbar të Zvonkos, që i ka pesë mjekrosha afër vetës që defilojnë non stop nga Serbia”.
Në një tjetër faqe të aktakuzës, emri i tij përmendet në lidhje me një takim që i njëjti ka realizuar me zyrtarë policorë të Kosovës.
Ai përmendet sërish si shefi i mjekroshëve të cilët me urdhër të Radojciqit kryejnë kërcënime, shantazhe, frikësime e zhvatje.
I fuqishmi i veriut ka qenë edhe udhëheqësi i bandave në veri që vazhdimisht kanë ngritur barrikada nëpër rrugë.
Më vonë ai akuzohet drejtpërdrejt për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, dhe ndaj tij lëshohet një urdhër arrest por që pakuptueshëm ai tërhiqet më pas nga gjykata.
I njëjti akuzohet dhe kërkohet edhe për rastin “Brezovica”, ku pas një kohe Prokuroria Speciale sërish lëshoi urdhër arrest.
Në shkurt të 2022-tës “i padukshmi” i veriut, u kishte ikur Policisë së Kosovës nga pika kufitare në Bërnjak dhe që nga atëherë nuk është shfaqur, deri në këtë rast nga malet e Leposaviqit. (Pamje te videos)
Pas një periudhe kohore, ShBA-ja e fut atë në listë të zezë bashkë me partnerin e tij të ngushtë Zvonko Veselinoviq dhe me disa serbë të tjerë.
Emri i tij kishte qarkulluar shumë edhe në fjalimet e politikanëve vendorë, duke akuzuar njëri-tjetrin për takime me Radojiçiqin përderisa në vitin 2019 Kryeministri i asaj kohe Ramush Haradinaj e kishte pritur në zyrën e tij në Qeveri.
Kurse në anën tjetër qarkullonte një fotografi e tij me Behxhet Pacollin në një jaht.
Kthimi i tij në Kosovë në vitin 2023, është një ndër ngjarjet më të rënda të viteve të fundit në veri.
Në dirigjimin e tij, siç konfirmoi vet një ditë më parë, duke i dalë në mbrojte presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuciq, ai organizon sulmin terrorist në Kosovë nga i cili mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku, tash hero i Kosovës.
Në pamjet që ka publikuar ministri i Brendshëm i Kosovës, i njëjti shihet brenda Manastirit në Banjskë i armatosur deri në dhëmbë.
Pas dështimit të planit të tij, Radojiçiq duke lënë terroristë të tjerë të vrarë pas vetës, ia del të arratiset për në Serbi prej ku tha të ketë dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës serbe.